Rohde pas vendimit për mallrat serbe: Hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se e mbështet vendimin e Qeverisë për hapjen e pikës kufitare në Merdar për mallrat që vijnë nga Serbia.

Ai ka thënë të hënën se ky vendim “shënon hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s”, duke thënë se Gjermania do të përkrah Kosovën për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare.

Nga e marta, produktet serbe mund të hyjnë përmes pikës kufitare në Merdarë.

Mirëpo në hyrje të tyre, do të ketë kontrolle të shtuara dhe detajuara nga Dogana e Kosovës.

Ky ndryshim nga Ministria e Punëve të Brendshme erdhi pas kërkesave të ndërkombëtareve për largim të kësaj mase të ndalimit.

Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se kjo masë është derisa të vijnë skanerët.

“Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët, në momentin që na vijnë skanerët atëherë do t’i vendosim në të gjitha pikat kufitare por derisa të na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”, tha Kurti.