Rohan: Kosova s’ka si të krahasohet me Katalonjën

ish- emisari i KB-së në negociatat për statusin e Kosovës Albert Rohan vlerëson se për synimet secesioniste në vende të ndryshme të Europës ekzistojnë norma të ndryshme.

Rohan ka kundërshtuar krahasimet e Kosovës me Katalonjën e Skocinë, transmeton Koha.net.

Diplomati austriak në shkrimin autorial në gazetën vjeneze “Prese”ka thënë se e drejta e shkëputjes duhet të fillojë nga fakti nëse një minoritet në shtetin e vet është fundamentalisht i diskriminuar.

“Kosova në Jugosllavi ka pasur status të dyfishtë – krahinë autonome e Serbisë dhe entitet i Federatës jugosllave me të drejta të ngjashme sikur gjashtë republikat. Statusi federal humbi me shpërbërjen e Jugosllavisë, ndërsa autonomia e gjerë është suprimuar në vitin 1989”, thotë Rohan.

Autori në vazhdim përmend referendumin që popullata shumicë shqiptare e mbajti në shtatorin e vitit 1991, e cila, me 87 për qind të daljes së popullatës në votim, 99 për qind e saj votoi për pavarësi të Kosovës.

Minoriteti serb dhe Beogradi zyrtar e refuzuan referendumin e si pasojë filloi keqtrajtimi masiv i kosovarëve dhe pastaj lufta e armatosur kundër pushtetit serb.

Pasoi operacioni ushtarak i Serbisë e pastaj bashkësia ndërkombëtare në vitin 1999 vendosi të ndërhyjë ushtarakisht kundër Serbisë.

“Nën përkujdesjen e OKB-së, në vitin 2006 filluan negociata në Vjenë për statusin final të Kosovës e në bazë të propozimit për zgjidhje nga emisari special i KB-së, Marti Ahtisaari, Prishtina në vitin 2008 shpalli pavarësinë të cilën e refuzoi Serbia, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në kërkesën për mendim që e kërkoi Beogradi, vlerësoi se pavarësia nuk është në kundërshtim me të Drejtën ndërkombëtare” thotë Rohan duke shtuar se asnjëra nga këto rrethana nuk ka asnjë lidhje me Katalonjën.

Ngjashëm, tha ai, është edhe me Skocinë./Mesazhi/