Mesfushori i Manchester Cityt dhe Spanjës, Rodri, është fitues i Topit të Artë. 28-vjeçari u shpall më i miri në ceremoninë madhështore të mbajtur të hënën mbrëma në Paris.
Rodri me Spanjën ka fituar Kampionatin Evropian, ndërsa me Manchester Cityn fitoi Premier Leaguen. Ka shkëlqyer gjatë gjithë edicionit të kaluar. Aktualisht është i lënduar. Ai doli me paterica në skenë për ta pranuar çmimin. Është emocionuar pasi u përmend emri i tij si fitues i çmimit kryesor individual në futboll.
Rodri është shpallur më i miri për periudhën prej gushtit të vitit 2023 deri në gushtin e vitit 2024.
Është pritur që Vinicius Junior i Real Madridit ta fitojë Topin e Artë, por gazetarë sportivë nga 100 vendet më të ranguara të FIFA-s votuan për Rodrin. Ka pasur thirrje Vini, Vini, para se Rodri të shpallej fitues.
Askush nga Real Madridi nuk ishte në ceremoninë Topi i Artë, që për herë të parë është organizuar nga “France Football” dhe UEFA. Në fakt UEFA është bashkuar për herë të parë me “France Football” për çmimin prestigjioz. UEFA ka hequr dorë nga çmimet e saj për t’u bërë pjesë e “Ballon d’Or”.
Topi i Artë ndahet që nga viti 1956. Fitues i parë ishte Stanley Matthews. Vjet fitues ishte Lionel Messi, që ka plot tetë trofe, si asnjë futbollist tjetër.
Cristiano Ronaldo është i dyti me pesë trofe. Por periudha e rivalitetit të madh Messi – Ronaldo ka përfunduar. Dhe Rodri shënon fillimin e një periudhe të re për futbollin ndërkombëtar.
Janë ndarë shumë trofe të hënën mbrëma në ceremoninë prestigjioze në Paris.
Rodri fitoi para Vinicius Juniorit dhe Jude Bellinghamit të Real Madridit. Madrilenët kanë fituar shumë çmime, por asnjëri prej tyre nuk ishte prezent. Këtë e bënë në shenjë revolte që Vinicius Junior nuk u shpall më i miri. Dhe kjo e ka goditur jo pak ceremoninë Topi i Artë.
Aitana Bonmati e fitoi Topin e Artë për futbolliste. Ajo fitoi për herë të dytë. Luan për Barcelonën.
Carlo Ancelotti i Real Madridit u shpall trajneri më i mirë. Prej këtij viti çmimi për trajnerin më të mirë quhet “Johan Cruyyf”, në emër të legjendës holandeze. Emma Hayes u shpall trajnerja më e mirë.
Emiliano Martinez i Argjentinës është shpallur për herë të dytë portieri më i mirë dhe ka fituar trofeun “Yashin”.
Trofeun Gerd Mueller, që i ndahet golashënuesit më të mirë, e fituan Harry Kane dhe Kylian Mbappe. Të dy i kishin nga 52 gola.
Real Madridi u shpall klubi më i mirë i futbollistëve, ndërsa Barcelona te futbollistet.
Lamine Yamal i Barcelonës e fitoi trofeun Kopa, që i ndahet futbollistit më të mirë të ri.
Në dhjetëshen më të mirë për Topin e Artë ishin edhe Dani Carvajal, Erling Haaland, Kylian Mbappe, Lautaro Martinez, Lamine Yamal, Toni Kroos e Harry Kane. Granit Xhaka u rendit i 16-ti.