Për më shumë se 1 javë flakët kanë rrëmbyer malin Serta dhe lufta me zjarret në territorin e vendit akoma po vazhdon. Kryetari I qendrës për menaxhimin e krizave Stojançe Angellov tha për TV SHENJA se momentalisht më së paku ka 15 zjarre aktive në vend dhe se temperaturat e larta po e bëjnë të pamundur shuarjen e tyre.
“Momentalisht kemi së paku 15 zjarre aktive në vend të cilat është vështirë të shuhen. Ato janë zgjeruar në hapësira më të mëdha, po luftojmë me ditë për ti pasur nën kontrollë po për fat të keq pa sukses edhe përskaj shfrytëzimit të avionëve si dhe intervenimeve nga toka. Temperaturat e larta afër 40 gradë por edhe bari i lartë i cili është rritur nga shirat dhe është më i gjatë se gjysmë metri dhe tani është shumë i thatë, era që vazhdimisht fryen, bëjnë që zjarret menjëherë të përhapen dhe të jenë të vështira për shuarje”.
Sa i përket zjarrit në Malin Serta Angellov tha se ai zjarr akoma nuk është vendosur nën kontroll për shkak se është përhapur shumë, gjithashtu lidhur me zjarrin në fshatin Shivac tha se banorët e asaj zone kanë raguar në kohë dhe e kanë ndaluar rrugën nga e cila zjarri mund të përhapet.
“Fatkeqsisht atë zjarr nuk po mundemi ta vëmë akoma nën kontroll sepse është përhapur shumë, nëpër drunjë, barë etj, po mundohemi me zjarrëfikësit që ta ndalojmë rrugën nga ku mund të përhapet zjarri. Sa I përket zjarrit në fshatin Shivac duke iu faleminderuar banorëve që reaguan menjëherë ndaj zjarrit tashmë ai zjarr është vënë nën kontroll”.
Duke iu referuar ndihmave të jashtme Angellov tha se kemi mjaftë ndihmë por ajo nuk mund të jetë efikase pasi temperaturat janë shumë të larta. Ai tha se e vetmja alternativë që do të ndihmonte në shuarjen e zjarreve do të ishte shiu që është paralajmëruar gjatë fundjavës.