Në varrezat e dëshmorëve në Polac të Skënderajt, është rivarrosur Xheladin Kabashi, i cili figuronte në mesin e persona të zhdukur gjatë luftës.
Eshtrat e tij ishin gjetur në nëntor të vitit 2023 gjatë gërmimeve në Prekaz, ndërsa eshtrat e tij ishin identifikuar përmes procesit të identifikimit me metodën shkencore të ADN-së.
“Eshtrat e Xheladin Kabashit, të zhvarrosura nga lokacioni në Prekaz, u konfirmuan përmes procesit të identifikimit me metodën shkencore të ADN-së. Më 15 janar 2025, familja Kabashi është njoftuar nga Sektori për Komunikim me Familjet – IML dhe zyrtarët e Komisionit, për identifikimin e mbetjeve mortore (eshtrave) të Xheladin Kabashit. Me kërkesë të familjes , ceremonia e rivarrimit është organizuar sot”, thuhet në komunikatën e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Në ceremoninë e rivarrimit me një fjalë rasti ngushëlluese , familjarëve dhe qytetarëve të pranishëm, iu drejtuan Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, dhe Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, i cili krahas ngushëllimit dhe mirënjohjes për familjen Kabashi, theksoi përkushtimin e Komisionit gjegjësisht institucioneve në ndriçimin e të vërtetës dhe zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.
“Sot në Polac, dhe kudo në Drenicë e Kosovë, gjithnjë përjetojmë një ndjenjë të thellë mirënjohje për guximin dhe sakrificën e trimave, heronjve , dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë tonë. Çlirimtari Xheladin Kabashi dhe gjithë të rënët në altarin e lirisë, janë shembulli më frymëzues i guximit dhe vendosmërisë njerëzore. Ata lanë pas një trashëgimi të madhe për ne të gjithë, duke na dhënë lirinë që gëzojmë sot. Është detyrë e jona si Komision t’i gjejmë më të dashurit tanë, është amanet i brezave ta lartësojmë lirinë”, theksoi Gara.