KQZ-ja ka marrë vendim që të rinumërohen edhe 280 kuti të votimit, rekomandim ky i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.
Prej tyre 150 në rinumërim të pjesshëm, ndërsa 130 më rinumërim të plotë. Rinumërimi i tyre do të bëhet për shkak të mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve dhe subjekteve politike.
Zëdhënës të KQZ-së kanë treguar për gazetën “Zëri” se deri më tani nga 280 kuti janë rinumëruar 55, ndërsa pothuajse ka përfunduar regjistrimi i votuesve me kusht.
Ndërsa përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë thënë se e vetmja arsye pse do të duhet të ndodhë ky rinumërim është evitimi i parregullsive, e jo për synime të tjera.
Mirëpo, këtë rinumërim ata e kanë cilësuar si punë të dobët të komisionarëve gjatë ditës së votimit dhe trajnim jo të mjaftueshëm të tyre nga KQZ-ja.
Ata mohojnë mundësinë e ndryshimit të rezultateve që i kemi deri më tani.
Valmir Elezi, zëdhënës nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ka thënë për “Zërin” se nga 280 kuti janë rinumëruar 55 dhe 19 të tjera janë në proces.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit në bazë të planifikimeve të mëparshme. Deri më tani është bërë rinumërimi i plotë i 55 kutive të votimit dhe 19 tjera janë në proces. Edhe proceset tjera janë pothuajse afër kompletimit. Futja e të dhënave nga Formularët e Rezultateve për Subjekte Politike (FPR) është kompletuar më shumë se 99%, kurse Formularët e Rezultateve të Kandidatëve (FRK) janë kompletuar rreth 90%”, tha ai.