Rinisin fluturimet nga Rusia në Turqi të pezulluara për shkak të COVID-19

Sot rinisën fluturimet nga Rusia për në Turqi, të cilat më herët ishin pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mëngjes u realizua fluturimi i parë nga Moska për në Stamboll, pasi pasagjerët, shumica shtetas rusë, arritën me Turkish Airlines në metropolin turk.

Disa nga pasagjerët për destinacion kishin qytetin e Antalyas për të bërë pushimet e tyre.

Vitin e kaluar, Turqia radhitej e para në listën e vendeve më të vizituara nga turistët rusë, pasi vendin e vizituan afro 7 milionë shtetas të Rusisë.

Fluturimet midis Turqisë dhe Rusisë u pezulluan në mars për shkak të koronavirusit.