Kur kam lexuar Gazaliun tek libri i tij i vyer “Ringjallja e dijeve fetare”, ajo që më ka tërhequr vëmendjen më së shumti ishte koncepti i tij se feja duhet mësuar aq sa të bën dobi në jetën e përditshme, pra nga feja duhet të njohim ato gjëra që kemi ndërmend ti vendosim në jetë, kështu sa më shumë aktivizohesh, sa më shumë zgjerohet rrethi i ndikimit, aq më shumë do lartësohemi në punë, në jetë, në zhvillim e mbi të gjitha në dijet dhe jetën fetare.
Pra sipas Gazaliut edhe diskutimet fetarë duhet të sillen rreth nevojës së besimtarëve në jetën e përditshme, ku nëpërmjet punës dhe angazhimeve ato duhet njëkohësisht të mësojnë edhe për rrugën që na ka kërkuar Zoti të ndjekim. Nuk janë të pakët dijetarët e mëvonshëm të cilët u frymëzuan nga kjo qasje dhe kanë thënë që pyetjet të cilat nuk janë rreth një punë konkrete “janë të papëlqyeshme të bëhen” e aq më pak ti kthehet përgjigje.
Ndërsa sot, dua të vendos në pah një fenomen ku shpesh ka qasje që marin vrullshëm pothuajse si “tufan” rreth temave të cilat edhe nëse do ia nxirrnim përfundimin nuk të dërgojnë askund, edhe sikur ti sqarojmë do mbetemi absolutisht të pasqaruara, edhe sikur ti ngjallin nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se të vdesin mendërisht.
Shkëputje e vëmendjes së besimtarëve në rrjetet sociale me tematika qe nuk i bëjnë dobi as në dynja e as në ahiret, nuk është gjë tjetër vetëm se tallje me amanetin e Zotit dhe njerëzit në tokë. Zmadhimi hiperbolizues i temave të vdekura në sirtarët akademik ndër shekuj, nuk bën gjë tjetër vetëm se vdes të gjallët në aspektin e shqetësimeve që duhet të mbartin si besimtarë dhe si njerëz mbi të gjitha.
Kështu prodhojmë turma të mëdha besimtarësh të cilët janë si shkuma e detit, por nuk i bëjnë as dëm e as dobi askujt dhe asgjëje.
Kjo lloj mendësie duhet ta kuptojë se njerëzit duan të jetojnë, të zhvillohen, të shkollohen, të punojnë dhe nëse fetarët nuk përpiqen të ofrojnë një alternativë të shëndoshë për aspiratat njerzore ato do ta kërkojmë tjetër vend, në tjera forma, larg fesë, larg besimit dhe larg Zotit.
A ka padrejtësi më të madhe që mund ti bëhet fesë se sa me këtë lloj mendësie, a ka përfaqësimi më të ulët që i bëhet madhështisë së frymës së besimit se sa kjo qasje….!?
——
Prandaj fetarët sot nuk janë alternativë për të gjallët sepse zhvillojnë debate të vdekura.
Hoxhë Vladimir Kera