Rikthim triumfues i McGregor, e përgjak kundërshtarin dhe triumfon pas 40 sekondave

Vetëm 40 sekonda i kanë mjaftuar Conor McGregor për të mposhtur Donald “Cowboy” Cerrone në eventin UFC0-246, zhvilluar mëngjesin e sotëm në Las Vegas, sfidë e vlefshme për peshën “welterweight” (pesha 71-77kg).

Një rikthim triumfues i irlandezit, që befasoi të gjithë me startin që i bëri kësaj sfide, përfshi edhe rivalin e tij, që u dorëzua shumë shpejt.

Që në momentin që nisi dueli McGregor godet Cerrone me shpatull në fytyrë, duke bërë që “kaubojsi” amerikan të gjakoset.

Kjo i jep zemër irlandezit të vijojë sulmet dhe brenda pak sekondash Cerrone është në tapet, duke u goditur nga grushtet e McGregor, deri në momentin që gjyqtari vendos të ndalë sfidën.

Cerrone nuk e priste këtë start të furishëm të irlandezit, që dukej në formë të jashtëzakonshme dhe e meritoi fitoren.

Për McGregor ky është suksesi nr.22 në karrierë (ka edhe 4 humbje), ndërsa për Cerrone kjo është humbja nr.14 (ka edhe 36 fitore e 1 duel pa rezultat).