Ballina Sport Futboll Rikthehet Liga e Kampionëve, disa ndeshje derbi

Rikthehet Liga e Kampionëve, disa ndeshje derbi

Skuadra të mëdha evropiane si Milani, Barcelona, Interi, Manchester City e Arsenali kanë ndeshje të martën në Ligën e Kampionëve.

Në program janë nëntë ndeshjet e para të xhiros së pestë të Championsit. Për shumë prej skuadrave të mëdha pikët janë me shumë rëndësi e për ndonjë edhe të domosdoshme.

Derbi i mbrëmjes zhvillohet në “Allianz Arena” në Munih nga ora 21:00. Takohen Bayerni dhe Paris Saint-Germaini.

Pas xhiros së katërt Parisi është në zonën ku eliminohet. I ka katër pikë në pozitën e 25-të. Bayerni me pozitën aktuale do të ishte jo bartës në fazën e plejofit. Gjiganti bavarez mban pozitën e 17-të me gjashtë pikë.

Deri në fund të fazës së ligës janë edhe katër xhiro dhe për të dy skuadrat pikët janë shumë të rëndësishme.

Në fazën e ligës së Championsit garojnë 36 skuadra. Pas tetë xhirove, tetë skuadrat e para në tabelë avancojnë në 1/8 e finales. Skuadrat prej pozitës së nëntë e deri në pozitën e 24-t paraqiten në fazën e plejofit, që është fazë para 1/8 së finales. Dhe skuadrat prej pozitës së 25-të deri në pozitën e 36-të eliminohen.

Vetëm Liverpooli i ka fituar të gjitha katër ndeshjet e para dhe udhëheq me 12 pikë. Nga dhjetë pikë i kanë Sportingu, Monaco, Bresti e Interi. Barcelona, Borussia Dortmundi e Aston Villa i kanë nga nëntë pikë.

Te Bayerni kanë folur me respekt për Parisin.

“Luajmë ndaj njërit prej klubeve më të mira në Evropë, me shumë mundësi në top-dhjetëshe. Parisienët kanë shumë kualitet individual dhe trajner shumë të mirë. Kanë shpejtësi dhe aftësi kur e mbajnë topin. Të dy ekipet do ta kërkojnë fitoren. Luajmë në shtëpi dhe kjo ndeshje është me shumë prioritet për ne”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.

Harry Kane po shfaq efikasitet të lartë te gjiganti gjerman. Ai nuk është mësuar ta shohë Bayernin vetëm në pozitën e 17-të, ku gjendet momentalisht në tabelën e Championsit.

“Nuk jemi mësuar të jemi kaq poshtë në tabelë. Duhet të fitojmë ndeshjet e mbetura për të zënë vend në top-tetëshe. Ka shumë çka për të garuar dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Po bëjmë presion më të madh. Me Thomas Tuchelin kemi bërë presion në mesfushë, ndërsa tani me Vincent Kompanyn po mundohemi të bëjmë presion nga sulmi. Po mundohemi të mbajmë topin dhe të mbulojmë krahët. Secili trajner e ka ndikimin e tij”, ka thënë Kane.

Te Parisi, po ashtu, kanë folur me respekt maksimal për kundërshtarin. Mesfushori Vitinha ka theksuar se janë të vetëdijshëm që po përballen me një ekip të madh që në përbërje ka lojtarë të nivelit botëror.

“Bayerni nuk ka pranuar gol në disa ndeshje të fundit. E dimë se me çfarë ekipi po përballemi. Ekipi gjerman bën shumë presion, por njëjtë veprojmë edhe ne. E kemi studiuar mirë kundërshtarin dhe jam i bindur se nëse i përmbahemi planit të trajnerit do të marrim rezultat shumë pozitiv. Është motivim i madh të luash ndeshje në Ligën e Kampionëve, sidomos ndaj Bayernit. Nuk mund të jesh më shumë i motivuar. Ne e dimë që duhet të fitojmë”, ka thënë Vitinha.

Prej orës 18:45 janë ndeshjet Slovan Bratislava – Milan dhe Sparta Pragë – Atletico Madrid. Skuadrat mysafire vlerësohen favorite të mëdha, njëjtë si Barcelona ndaj Brestit në ndeshjen e orës 21:00. Në fakt, Bresti ka një pikë më shumë se Barcelona dhe qëndron dy pozita më lart.

Bayer Leverkuseni i Granit Xhakës e pret Salzburgun, ndërsa Interi përballet me RB Leipzigun.
Manchester City shpreson t’i japë fund serisë prej pesë humbjeve, por do të sfidohet seriozisht nga Feyenoordi në “Etihad”.

Sporting – Arsenal dhe Young Boys – Atalanta janë dy ndeshjet e tjera që fillojnë në ora 21:00.

Exit mobile version