Rikthehet frika nga terrorizmi në Paris. Një person i paidentifikuar përplasi me automjetin e tij një patrullë ushtarësh, duke plagosur 6 prej tyre. Drejtuesi i automjetit arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe policia është vënë në kërkim të tij.
Ngjarja ndodhi në lagjen periferike Lëvalua Përre në periferi të kryeqytetit franczez. Ushtarët u dërguan për mjekim në spital. Mjekët thanë se dy prej tyre kanë marrë plagë të rënda, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Ushtarët ishin pjesë e njësive franceze të anti-terrorit Sentinelle, që patrullojnë në shumë qytete të vendit. është ende i paqartë motivi i kësaj ngjarje, por dyshimet janë të forta se mund të bëhet fjalë për një akt terrorist.
Kreu i njësisë administrative periferike të Parisit, Patrik Balkani rrëfeu për mediat dinamikën e ngjarjes. Ai tha se automjeti ishte i parkuar në anë të rrugës dhe sipas të dhënave qëndronte në pritje për të goditur ushtarët. Sipas tij, bëhet fjalë për një ngjarje të qëllimshme dhe të shëmtuar.
Sulmet ndaj forcave të sigurisë janë shpeshtuar kohët e fundit. Rasti më flagrant ishte ai i Parisit në prill, kur një polic u qëllua me armë pran Shamps-Elizesë.