Opozita nuk e mbështet riformatimin e Qeverisë. Sipas tyre, as ky hap nuk do të sjellë zhvillime pozitive
Riformatimi i Qeverisë së Kosovës, i cili do ta përfshinte edhe zvogëlimin e ministrive, do t’ia kursente buxhetit të shtetit 3.6 milionë euro brenda një mandati, shkruan “Zëri”.
Kështu kanë vlerësuar hulumtuesit e institutit GAP dhe njohësit e çështjeve politike në Kosovë. Sipas tyre, numri i ministrive do të duhej të zvogëlohej nga 19 sa është tani në 13 gjithsej.
E përderisa në Kosovë aktualisht ka 19 ministri, dy prej tyre (ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministria e Integrimit Evropian) tanimë “funksionojnë” pa ministra.
Gjersa njohës të çështjeve politike kërkojnë riformatim të Qeverisë dhe shuarjen e disa prej këtyre ministrive, përfaqësues të Qeverisë thonë se riformatimi do të ndodhë, mirëpo ende nuk është caktuar se kur saktë do të fillojë një proces i tillë.
Sipas Qeverisë, riformatimi do të vijë si rezultat i pajtimit të partnerëve të koalicionit PDK-LDK. Mirëpo, partitë opozitare bashkë me analistët politikë nuk shohin vullnet të Qeverisë për ta ndërmarrë një hap të tillë, sado që sipas tyre është mjaft i nevojshëm. Kjo pasi, ashtu si ata kanë deklaruar, partitë në pushtet i kanë sistemuar dhe po i sistemojnë akoma njerëzit e tyre partiakë nëpër këto ministri.