Në Shqipëri kanë rifilluar protestat për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, organizuar nga partitë opozitare dhe me mbështetjen e aktivistëve të shoqërisë civile.
Protesta e sotme nisi me tensione për shkak të bllokimit të qarkullimit të automjeteve nga protestuesit në rrugën para selisë së Bashkisë së Tiranës.
Protestuesit dhe organizatorët e protestës pretenduan se kanë marrë leje për protestën, duke kërkuar nga policia marrjen e masave për mbarëvajtjen e protestës.
Protesta e sotme u organizua para selisë së Bashkisë së Tiranës, me mbështetjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), si dhe aktivistëve të shoqërisë civile, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndërkohë pjesë ishin edhe deputetë të opozitës.
Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë.
“Nuk tërhiqemi sepse ne jemi me të drejtën, ne jemi me kushtetutshmërinë dhe për të drejtat e njeriut”, tha Teliti.
Sekretari i përgjithshëm i PL-së dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, në fjalën e tij u shpreh se është koha të organizohen më fort.
“Fitorja do t’i përkasë opozitës dhe qytetarëve të Tiranës”, tha Blushi.
Në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë gjatë vitit 2024 protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat kundër kryebashkiakut Veliaj nisën në fillim të prillit 2024 dhe protesta e sotme është e para për vitin 2025.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të vitit të kaluar të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive”.