Në Shqipëri janë riatdhesuar disa fëmijë shqiptarë të cilët kanë qëndruar në kampe në Siri, pas një operacioni të kryer nën koordinimin e disa institucioneve të Shqipërisë dhe me mbështetjen e autoriteteve të Libanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në lidhje me këtë operacion, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi Libanin, së bashku me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Sandër Lleshaj, që shoqëruan fëmijët gjatë riatdhesimit në vend.
Para një prononcimi për mediat nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, kryeministri Rama në rrjetet sociale ka shkruar: “Mbërritja në atdhe e katër fëmijëve shqiptarë nga kampi i ferrit Al Howl, falë një operacioni të ndërlikuar dhe pas më shumë se një viti përpjekje. Së shpejti edhe fëmijët e tjerë”.
Gjatë prononcimit, Rama theksoi se janë identifikuar edhe fëmijë të tjerë që janë pjesë e kampit. “Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm. Ajo që është edhe më e rëndësishme është që tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar. Janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që do të kthejmë dhe pjesën tjetër në Shqipëri”.
“Ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me regjimin e Damaskut dhe duhet leje kalimi i tyre…E gjitha kjo është mundësuar falë strukturës së drejtuar nga gjenerali Abass Ibrahim në Liban i cili më ka konfirmuar sot se operacioni do të vazhdojë”, tha më tej Rama.
Rama nuk ka publikuar të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve shqiptarë që ndodhen aktualisht në kampe në Siri, të cilët shkuan së bashku me prindërit e tyre disa vite më parë.
Katër fëmijët së bashku me një grua po shqiptare, përveç zyrtarëve shqiptarë u pritën në aeroport edhe nga të afërmit e tyre.
Autoritetet shqiptare në muajt e fundit janë angazhuar që ta zgjidhin çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve që gjenden në kampe në Siri, të cilët shkuan në këtë vend disa vite më parë.
Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile, dhjetëra shqiptarë jetojnë në kampet në Siri në rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e tyre.