Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar një udhëzues informues mbi procedurën e aplikimitpër ri-fitim të shtetësisë si dhe dokumentet që nevojiten.
Parashtrimi i kërkesave për ri-fitimin e shtetësisë duhet të bëhet personalisht pranë administratës komunale në territorin e së cilës parashtruesi ka vendbanimin. Formulari për këtë gjendet në Zyrën e Gjendjes Civile.
Për rastet ku parashtruesi ka vendbanimin jahstë Republikës së Kosovës, kërkesa mund të parashtrohet në përfaqësinë më të afërt diplomatike apo konsullore të Republikës së Kosovës në Gjermani (Berlin, Hamburg, Dusseldorf, Frankfurt, Munchen dhe Sttutgart).
Dokumentet e nevojshme për aplikim për personat nën moshën 18-vjeçare janë: Formulari për aplikim, certifikata e lindjes, kopja e dokumentit të identifikimit të vlefshëm me fotografi që duket qartë, dokumente të vlerfshme identifikimi me fotografi për të dy prindërit, dëshmia nga Zyra Komunale e Tatimit në Pronë mbi përmbushjen e obligimeve tatimore, certifikata nga regjistri i Gjendjes Civile të prindërve ose ndonjë dëshmi tjetër të vlefshme që dëshmon shtetësinë e prindërve, pëlqimi i fëmijës nga mosha 14 deri në 18-vjeç.
“Të gjitha dokumentet që ofron parashtruesi i kërkesës për fitimin e shtetësisë duhet të jenë të përkthyera në njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës (nga përkthyesi i autorizuar). Në rast se dokumentet nuk janë nga shtetet anëtar të BE’së, zonës së Shengenit, Britanisë së Madhe dhe ShBA’së, ato duhet të jenë të vulosura me vulë apostile ose me vulë verifikuese”, thuhet në udhëzues.
Dokumentet e tjera që nevojiten janë edhe dëshmia nga Procedura Penale, që vërteton se nuk është duke u zhvilluar procedurë penale dhe nuk është i dënuar për vepra penale, e lëshuar nga organi kompetent I shtetit të huaj, shtetas i të cilit është parashtruesi i kërkesës dhe shtetit në të cilin ka pasur vendbanimin e fundit, jo më të vjetër se 6 muaj.
Tjetër dokument që kërkohet është edhe dëshmia se parashtruesi i kërkesës posedon mjete të mjaftueshme materiale për të siguruar jetesën e vet dhe të personave për mbajtjen e të cilëve është përgjegjës, pa shfrytëzuar skemat sociale, si dhe Deklarata nën betim me shkrim ku pranon rendin kushtetues dhe juridic të Republikës së Kosovës.