Në referendumin e djeshëm për ndryshimin e emrit të Maqedonisë kanë votuar 666.743 qytetarë, apo 36,91 për qind nga gjithsej 1.806.336 votues të regjistruar në Listën zgjedhore, kumtoi sot Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pas përpunimit të 100 për qind të fletëvotimit.
Në pyetjen e referendumit “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?, “pro” kanë votuar 91,46 për qind, apo 609.813 qytetarë, ndërsa “kundër” janë prononcuar 5,65 për qind apo 37.700. Jovalide janë 19.221 fletëvotime apo 2,89 për qind.
Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski tha se konform rezultateve të konfirmuara, vendimi nuk është miratuar sepse nuk kanë votuar gjysma e qytetarëve të regjistruar në Listën zgjedhore.
Raporti i KSHZ-së do të publikohet në “Gazetën Zyrtare” në afat prej 15 ditëve, ndërsa do të parashtrohet në Kuvend dhe do të publikohet në ueb-faqen e Komisionit.