Ballina Lajmet Kosovë Rezultatet përfundimtare: LVV 42.3%, PDK 20.95%, LDK 18.27% dhe AAK-Nisma 7.06%

Rezultatet përfundimtare: LVV 42.3%, PDK 20.95%, LDK 18.27% dhe AAK-Nisma 7.06%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje është konfirmuar si partia e parë me 42.3 për qind të votave. Kjo parti ka marrë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95 për qind të votave apo 24 ulëse.

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka marrë 18.27 për qind të votave apo 20 ulëse.

Koalicioni AAK-Nisma ka dalë në vend të katërt me 7.06 për qind të votave apo tetë ulëse.

Te komunitetet, Lista Serbe ka siguruar nëntë ulëse, ndërsa Za Slobodu Pravdu i Opstanak një. Dy ulëse i ka siguruar Kosova Demokratik Turk Partisi, ndërsa nga një ulëse kanë marrë edhe Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Koalicija Vakat, Partia Liberale Egjiptiane, Socialdemokratska Unija, Jedinstvena Goranska PArtija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Në nivel vendi të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 966 mijë e 283 qytetarë apo 46.54 për qind e atyre me të drejtë vote.

Në fjalimin në mbledhjen e KQZ-së, kryetari Kreshnik Radoniqi ka thënë se vonimi i shpalljes së rezultateve ka ndodhur për shkak të “zbatimit të ndryshimeve të shumta ligjore” dhe “problemet me prezantimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”.

Subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesa ndaj vendimit për shpalljen e rezultateve përfundimtare brenda 48 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Exit mobile version