Rezultatet e ndeshjeve të Superligës së Kosovës

Besa e ka regjistruar barazimin e radhës. Skuadra pejane ndau pikët me Trepçën në Mitrovicë, duke luajtur baras, 1:1.

Madje, mitrovicasit kanë kaluar të parët në epërsi me golin e realizuar nga Hasan Hyseni në minutën e 23-të, shkruan Zëri.

Kurse, pejanët i barazuan shifrat me mesfushorin Qemail Elshani në minutën e 59-të, i cili e realizoi golin e tretë radhazi.

Ndërkohë, Trepça ’89 i mori tri pikë të vlefshme në Ferizaj, të cilin e mposhti 1:0 falë golit të shënuar në minutën e fundit nga Arbër Potoku, raporton Zëri.

Drita është befasuar nga Hajvalia, e cila fitoi 1:0 me golin e realizuar në minutën e 82-të nga ana e Shpëtim Babajt nga penalltia.

E në ndeshjen e fundit, Llapi e mundi Lirinë 2:0 falë golave të Florim Bërbatovcit në minutën e 30-të dhe të Hamdi Namanit, i cili shënoi në minutën e 52-të.