Ballina Autorë Opinione Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën dhe efektet potenciale të saj

Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën dhe efektet potenciale të saj

Ditar Kabashi

Duke qenë se OKB-ja është çatia e përbashkët e vendeve sovrane të botës, secili vendim i saj gëzon peshë të pamohueshme. Dihet se ekzistojnë probleme sa i përket zbatimit të të gjitha vendimeve që dalin nga instancat e OKB-së, por këto janë pasojë e strukturës jo gjithaq të drejtë të kësaj organizate (veçan për shkak të së drejtës së vetos absolute të pesë shteteve) dhe kjo ndodh kryesisht për shkaqe politike.

Ditar KABASHI, Prizren

Rezolutat përmbajnë mendim parimor për çështje të rëndësishme. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), gjatë muajit maj 2024, ka miratuar një rezolutë me të cilën e ka caktuar 11 korrikun si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”. Në favor të dokumentit nr. A/78/L.67/Rev.1 votuan 84 shtete, kundërshtuan 19 shtete, gjersa abstenuan 68 shtete.

Përmbajtja e Rezolutës

Teksti i Rezolutës është hartuar në format të zakonshëm, ku në hyrje jepen arsyet e nxjerrjes së këtij akti. Në këtë drejtim, fillimisht i referohet vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, në veçanti atyre që përmbajnë gjykime fajësuese për gjenocid kundër myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë më 1995.

Rezoluta riafirmon kundërshtimin e fortë ndaj mosndëshkimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut. Po kështu, ajo thekson përgjegjësinë e shteteve për t’i dhënë fund mosndëshkimit dhe për të hetuar plotësisht dhe për të ndjekur penalisht, në përputhje me detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe legjislacionin e tyre të brendshëm, personat përgjegjës për akte të tilla me qëllim që të shmanget përsëritja e tyre dhe të kërkohet paqja e qëndrueshme, drejtësia, e vërteta dhe pajtimi.

Në margjinat e kësaj rezolute përsëritet që, sipas të drejtës ndërkombëtare, përgjegjësia penale për krimin e gjenocidit është e individualizuar (personale) dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi a bashkësie etnike, fetare apo tjetër.

Indikativ është nënvizimi i Rezolutës se ndjekja penale e personave përgjegjës për gjenocid dhe krime të tjera ndërkombëtare mbetet në qendër të procesit të pajtimit; se kjo ndërton rivendosjen dhe ruajtjen e paqes në Bosnjë-Hercegovinë dhe se bashkëpunimi regjional ndërmjet prokurorive kombëtare është thelbësor në nxitjen e paqes, drejtësisë, së vërtetës dhe pajtimit.

Pjesa hyrëse mbaron me zotimin për angazhimin e palëkundur për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjes së unitetit në diversitet në Bosnjë-Hercegovinë.

Në pjesën taksative, para së gjithash, Rezoluta cakton 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë, që do të shënohet çdo vit (pika 1).

Tutje specifikohet se Asambleja e Përgjithshme dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u kërkon shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara, të zhvillojnë programe të përshtatshme në sistemet e tyre arsimore, me qëllim të kujtimit, parandalimit të mohimit a shtrembërimit, si dhe shfaqjes së gjenocideve në të ardhmen (pika 2).

Rezoluta dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë përgjegjësit për gjenocidin e Srebrenicës (pika 3).

Në këtë dokument vihet në pah edhe rëndësia e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit të Srebrenicës dhe varrimeve dinjitoze sipas tyre. Këtejmi, bëhet thirrje për ndjekjen e vazhdueshme të kryerësve të gjenocidit të Srebrenicës që akoma nuk janë përballur me drejtësinë (pika 4).

Rezoluta nxit të gjitha shtetet që t’u përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit dhe të drejtës ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke marrë në konsideratë vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (pika 5).

Kjo Rezolutë e ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së me krijimin e një programi informues me titull “Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar me përgatitjet për përvjetorin e tridhjetë më 2025. Në këtë linjë, atij i kërkohet që ta paraqesë Rezolutën aktuale pranë të gjitha shteteve anëtare, organizatave brenda sistemit të OKB-së dhe organizatave joqeveritare (pika 6).

Rezoluta fton të gjitha shtetet anëtare, organizatat në kuadër të Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe regjionale si dhe shoqërinë civile/organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera të interesuara, që të respektojnë Ditën Ndërkombëtare duke shënuar me aktivitete të veçanta nderimin e viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, sikurse edhe edukimin e duhur dhe aktivitetet e ndërgjegjësimit publik (pika 7).

Efektet e shumanshme të Rezolutës

Shpallja zyrtare e 11 korrikut “Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë” ka përmasa të ndryshme në aspektin e së drejtës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo Rezolutë ka rol për sigurimin e drejtësisë, njohjen e viktimave, mbrojtjen e të vërtetave historike dhe promovimin e paqes ndërkombëtare. Në kontekst juridik, me anë të këtij dokumenti përforcohet argumentimi për cilësimin “gjenocid” të ngjarjeve në Srebrenicë.

Rezoluta e mban të freskët përkujtimin e viktimave në suaza ndërkombëtare dhe kjo nxit rritjen e ndërgjegjësimit publik përballë tragjedive të tilla. Duke qenë se OKB-ja është çatia e përbashkët e vendeve sovrane të botës, secili vendim i saj gëzon peshë të pamohueshme. Dihet se ekzistojnë probleme sa i përket zbatimit të të gjitha vendimeve që dalin nga instancat e OKB-së, por këto janë pasojë e strukturës jo gjithaq të drejtë të kësaj organizate (veçan për shkak të së drejtës së vetos absolute të pesë shteteve) dhe kjo ndodh kryesisht për shkaqe politike. Sido që të jetë, ndërkombëtarizimi i Ditës Përkujtuese të Gjenocidit në Srebrenicë kontribuon në ndjekjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve në gjykatat ndërkombëtare për arsye se vendimet e kësaj natyre mund të jenë referencë e rëndësishme në vendimmarrjet gjatë proceseve penale kur gjykohet në çështjet lidhur me gjenocidin.

Një efekt tjetër është ai që njohja e gjenocidit ndihmon legjitimimin e kërkesave për kompensim për viktimat dhe familjarët e tyre. Andaj, Rezoluta në fjalë mund të luajë rol edhe në zgjidhjen e kontesteve ndërshtetërore.

Vetë fakti që shumica e bashkësisë ndërkombëtare shprehu vullnet përkitazi me riafirmimin e gjenocidit në Srebrenicë, e konsolidon qëndrimin e përbashkët kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Për më tepër, ky dokument do të ndikojë pozitivisht në etablimin e paqes në regjion, ngase kërkimi dhe jetësimi i drejtësisë për viktimat dhe të mbijetuarit përafron pajtimin shoqëror.

Sipas këndvështrimit edukativ, me këtë rezolutë inkurajohet zgjerimi i njohurive rreth gjenocidit të Srebrenicës në programet arsimore. Brezat e rinj do të mësojnë më saktësisht të kaluarën dhe do të edukohen në frymën e parandalimit të tragjedive të ngjashme në të ardhmen pasi do ta kenë më të dallueshme të mirën nga e keqja. Kjo lë të kuptohet se rezoluta siguron që gjenocidi i Srebrenicës duhet të përfshihet në mënyrë të saktë dhe të drejtë në historiografinë zyrtare. /revistashenja

Exit mobile version