Vetëm 70 vjet pas futjes së antibiotikëve në përdorim, një dhuratë e shekullit të 20-të për njerëzimin që mund të kurojë shumë sëmundje të mundshme vrasëse, bota tani po përballet me një problem të ri: rezistencën ndaj antibiotikëve.
Ilaçet antimikrobikë, të njohur si antibiotikë, janë ilaçe që luftojnë bakteret duke vrarë ose ndaluar rritjen e tyre.
Deri në zbulimin e penicilinës në vitin 1928, njerëzit në gjithë botën ishin në një betejë humbëse kundër sëmundjeve bakteriale si meningjiti, pneumonia ose infeksionet pas operacioneve.
Sipas një studimi të vitit 2016 nga Qendra Kombëtare e SHBA-së për Informacionin e Bioteknologjisë (NCBI), para shekullit të 20-të, jetëgjatësia mesatare ishte 47 vjet, madje edhe në vendet e industrializuara. Por, pas ardhjes së antibiotikëve, jetëgjatësia u rrit në gati 80 vite.
Me përdorimin e antibiotikëve, shkaqet kryesore të vdekjes kaluan nga sëmundjet ngjitëse në ato jongjitëse, siç janë çrregullimet kardiovaskulare, kanceri dhe sulmi në tru.
Asnjë antibiotik nuk mund të kurojë të gjitha sëmundjet
“Antibiotikët nuk janë qetësues për dhimbjet ose antipiretikë. Për shkak të keqkuptimeve të përhapura, njerëzit kanë tendencë të përdorin antibiotikë për të luftuar të ftohtin dhe gripin”, tha për Anadolu Agency (AA), Yeliz Demirci, një mjeke e specializuar në kujdesin familjar në Aksaray të Turqisë qendrore.
“Infeksionet si gripi dhe ftohja nuk shkaktohen nga infeksione bakteriale por nga viruse, kështu që përdorimi i antibiotikëve për të trajtuar këto nuk do të ndihmojë, pasi ato nuk kanë asnjë efekt ndaj viruseve”, shtoi ajo.
Demirci tha se antibiotikët janë shpëtues të jetës, por ato duhet të përdoren për sëmundjen e duhur, në kohën e duhur dhe në kohëzgjatjen e duhur.
“Nuk ka asnjë antibiotik që mund të shërojë të gjitha sëmundjet”, thotë Demirci.
“Çdo antibiotik vepron mbi një baktere të ndryshme. Zona në të cilën çdo antibiotik është efektiv është e kufizuar. Me fjalë të tjera, antibiotikët e përdorur për të trajtuar infeksionin e fytit dhe mushkërive nuk mund të përdoren për infeksione të traktit urinar, pasi ato nuk kanë efekt. Jo të gjithë antibiotikët mund të përdoren në të gjitha sëmundjet”, shpjegoi ajo.
Rezistenca e antibiotikëve rritet në nivele të larta të rrezikshme
Zbulimi inovativ i antibiotikëve, për fat të keq, çoi në një kërcënim të madh shëndetësor për shkak të përdorimit të tyre të parregullt. Bakteret që dikur ishin të ndjeshme janë bërë rezistente ndaj antibiotikëve, si një armik që njeh lëvizjet tuaja të ardhshme më parë.
Demirci tha se përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve ose përdorimi i gabuar i antibiotikëve mund të shkaktojnë që bakteret të zhvillojnë rezistencë ndaj trajtimeve të mëvonshme me barna.
“Kjo gjendje, e quajtur rezistencë ndaj antibiotikëve, është aftësia e fituar e baktereve, të quajtur “superbugs”, për t’u rritur dhe infektuar përkundër pranisë së antibiotikëve”, tha ajo.
Rezistenca e baktereve “superbugs” ndaj antibiotikëve përbën rrezik jo vetëm për personin që përdor në mënyrën jo të duhur antibiotikët, por edhe për këdo që është në rrezik të preket potencialisht nga bakteret rezistente më pas.
“Me këtë rezistencë, antibiotikët mund të bëhen plotësisht të paefektshëm, sëmundjet infektive të mos mund të shërohen dhe madje edhe një plagë e thjeshtë e infektuar të rezultojë në vdekje. Përdorimi i panevojshëm dhe i gabuar i antibiotikëve mund të ketë pasoja të rënda në të ardhmen”, tha Demirci.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se rezistenca ndaj antibiotikëve po rritet në nivele të larta të rrezikshme në të gjitha pjesët e botës.
“Mekanizmat e rinj të rezistencës po shfaqen dhe po përhapen globalisht, duke kërcënuar aftësinë tonë për të trajtuar sëmundjet e zakonshme infektive”, ka thënë agjencia e OKB-së.
“Një listë në rritje e infeksioneve, të tilla si pneumonia, tuberkulozi, helmimi i gjakut, gonorea dhe sëmundjet e lindura nga ushqimi, janë duke u bërë më të vështira, dhe nganjëherë të pamundshme, për t’u trajtuar pasi antibiotikët bëhen më pak efektivë”, thekson OBSH.
Teksa antibiotikët janë efektivë në shërimin e disa sëmundjeve duke vrarë bakteret e dëmshme, Demirci tha se bakteret e dobishme në trupin tonë që mbrojnë zorrët, lëkurën, organet gjenitale dhe sistemet e tjera gjithashtu mund të vriten.
“Vrasja e baktereve të dobishme në trupin tonë me anë të antibiotikëve do të thotë që ne humbim mbështetjen që marrim nga këto baktere të dobishme, gjë që, për fat të keq, hap rrugën për rritjen e baktereve të tjera të dëmshme”, tha ajo.
“Kjo çon në infeksione oportuniste, të tilla si diarrea dhe infeksionet fungale. Shërimi i këtyre çrregullimeve gjithashtu ndikon negativisht tek individi, në varësi të sistemit të tyre imunitar”, shtoi Demirci.
Demirci tha se antibiotikët duhet të përdoren vetëm kur rekomandohen nga një mjek dhe në kohën dhe mënyrën e duhur.
“Vetëm në këtë mënyrë shkatërrohen bakteret që shkaktojnë sëmundje dhe parandalohet zhvillimi i rezistencës”, tha ajo.
-Transmetimi gjenetik
Ajo gjithashtu potencoi rezistencën e transmetuar nga bakteret te bakteret përmes gjeneve.
“Bakteret fitojnë rezistencë ndaj antibiotikëve që hasin ose ndeshen me një kohë dhe dozë joadekuate. Ky është një ndryshim në gjenet e baktereve. Kjo rezistencë transmetohet nga bakteret në baktere përmes gjeneve, por ndodh midis baktereve. Këtu nuk ka transferim nga prindi tek pasardhësit”, shpjegon Demirci.
“Nëse njerëzit hasin në këto baktere rezistente, një antibiotik që dikur ishte efektiv nuk do të funksionojë më për shkak të rezistencës”, tha ajo.
- Pse disa vende janë më të prekura se të tjerat?
Edhe pse përdorimi jo i duhur i antibiotikëve është një problem global, arsyet e shkallës së rezistencës më të lartë ose më të ulët ndryshojnë në bazë të sasisë së përdorimit, sëmundjeve themelore, cilësisë së kujdesit spitalor, shkallës së imunizimit dhe faktorëve shoqërorë.
Megjithëse njerëzit në vendet në zhvillim ende vdesin për shkak të mungesës së trajtimit të nevojshëm me antibiotikë, në çdo kontinent ekziston shqetësimi për rezistencën që vjen nga përdorimi jo i duhur.
Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) për vitin 2018, “Frenimi i Valës Superbug”, rreth 2,4 milionë njerëz mund të vdesin në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Australi deri në vitin 2050 për shkak të infeksioneve të shkaktuara nga “superbugs”, përveç nëse bëhet më shumë për të frenuar rezistencën e antibiotikëve.
Studimi thotë se tre nga katër vdekje nga infeksione me “superbug” mund të shmangen duke shpenzuar vetëm 2,58 dollarë për person në vit në hapa aq themelorë sa larja e duarve dhe përdorimi më i kujdesshëm i antibiotikëve.
Sipas të dhënave të OECD-së për vitin 2015, Turqia renditet e shtata në proprocionin e rezistencës për tetë çifte antibiotik-bakter, me 38,8 për qind, duke u radhitur pas Indisë, Kinës, Rusisë, Rumanisë, Indonezisë dhe Perusë.
Situata është shumë më e rëndë në Indi, me 57,1 për qind të njerëzve që tashmë kanë zhvilluar rezistencë ndaj tetë antibiotikëve k