Rexhepi e quan ofendim iniciativën për shkarkim të Osmanit, Avdyli kërkon largimin e Mustafës

Deputetët e LDK-së, Fatmir Rexhepi, dhe Haxhi Avdyli, kanë reaguar ashpër ndaj propozimit të kreut të kësaj partie, Isa Mustafa, për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares në parti.

Teksa Rexhepi e ka cilësuar veprim të pavend dhe ofendues për LDK-në, Avdyli ka thënë se ai që duhet të shkarkohet është vetë Mustafa.

“Jam befasuar. Ishte veprim i pavend. Në momentin kur po ndryshohen shumë punë politike, qoftë në parlament, qoftë në zgjidhjen e çështjeve të mëdha si dialogu dhe tjera të zhvillimit të vendit, me gjet kohë të merresh me këtë punë mendoj se është gabim shumë i madh i kujtdo që e ka iniciuar, kryetarit apo anëtarëve të tjerë të kryesisë. E vlerësoj plotësisht të pavend që përmes e-mailit tregon nivelin ku ka rënë partia”, ka thënë ai për KOHËN duke kundërshtuar kategorikisht idenë për shkarkim të Osmanit.

“Ky është një ofendim i madh, jo vetëm për mua, por për të gjithë anëtarësinë e LDK-së. Kjo s’është në frymën demokratike”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputeti Avdyli e ka quajtur absurde dhe ide moniste propozimin për shkarkim të Osmanit. Ai ka thënë se është Mustafa personi që duhet të largohet nga LDK-ja.

“Kjo iniciativë e Isa Mustafës dhe grupit rreth tij është absurde, e pakuptimtë dhe që i përngjan më shumë diferencimit ideopolitik të sistemeve të kaluara. Sepse s’mundet dikush që prej 2013-s kur e ka humb Prishtinën të diferencojë dikë që e ka besimin qytetar. Mendoj se LDK-ja me këtë veprim degradon thellë nga një parti ku është vlerësuar dhe ka pas diskutime e divergjenca në një parti ku vendos lideri, që diferencon, dënon dhe siç ka lajmëruar edhe do t’i mbyllë listat dhe të vendosë çdo gjë sipas kutit të tij. Mendoj se ky veprim i tij nuk do të marrë besimin e Këshillit të Përgjithshëm, sepse aty ka burra e gra të mirë që e duan LDK-në”, ka thënë ai. “Nëse dikush duhet të shkarkohet me vendim të LDK-së është vetë ai, i cili mendon me një qasje të tillë absurde, por sidoqoftë ne do të pranojmë çdo veprim të Këshillit të Përgjithshëm shumë qetë”.

Ai ka thënë se një vendim për shkarkimin e Osmanit “do të bëjë dëmtimin vetëm të grupit në krye të LDK-së, sepse LDK-ja është më e madhe se kreu i saj”.

“Kjo do ta trondiste besimin e njerëzve në LDK dhe do ta jep një goditje të rëndë ndaj besimit të tyre sepse Vjosa Osmani nuk përfaqëson vetveten, por 206 mijë vota të qytetarëve dhe 176 mijë vota persona”, ka thënë Avdyli për KOHËN.

Të dy deputetët kanë thënë se presin marrjen e masave edhe ndaj tyre, për shkak se nuk kishin votuar pro formimit të Qeverisë Hoti.

Rexhepi ka thënë se kjo “s’do të ishte çudi”, ndërsa Avdyli ka thënë se “iniciativa për shkarkim do të prekë të gjithë ata që mendojnë ndryshe sepse po duan një parti ku për të gjithë mendon vetëm lideri e ne jemi vetëm për të ngritur dorën, ku s’kemi të drejtë as të mendojmë, por vetëm të aprovojmë kërkesat e liderit shpirtëror tonit”.