Sulmuesi Marco Reus do të mbetet pjesë e Borussia Dortmundit edhe pas përfundimit të sezonit aktual.
“Kicker” ka bërë të ditur të martën se Reus është në negociata me Dortmundin për rinovimin e kontratës që i skadon në verë.
33-vjeçari është kapiten i Dortmundit dhe krerët e klubit po duan ta mbajë të paktën deri në vitin 2025. Megjithatë, më rinovimin e kontratës, mësohet se Reus do të ketë pagë dukshëm më të ulët se paga aktuale. Ai është futbollisti më i paguar te Dortmundi me pagë vjetore prej 12 milionë eurosh, ndërsa me rinovimin e kontratës, paga e tij do të përgjysmohet. Reus ka shënuar 5 gola dhe ka bërë shtatë asistime këtë sezon, ndërsa është pjesë e Dortmundit prej vitit 2012.