Kanë përfunduar punimet restauruese – konservuese në mejtepin dhe xhaminë e vjetër të fshatit Shkozë të Malishevës. Këto punime janë drejtuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të programeve për ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore të mbështetura financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Xhamia dhe mejtepi i vjetër i fshatit Shkozë është ndërtuar në vitin 1916 ku sipas të dhënave gojore nga të moshuarit e këtij fshati kjo xhami së bashku me mejtepin (shkollën) ishte ndërtuar me kontributin e fshatarëve rreth mbi njëqind vite më parë.
Në këtë xhami shkollë, përveç mësimeve fetare hoxhallarët patriot qysh gjatë ish Jugosllavisë mbretërore, fshehtas u kishin mësuar fëmijëve shkrim – leximin në gjuhën shqipe, përmes librave shqip që i kishin siguruar në fshehtësi nga konsulli i Shqipërisë së atëhershme në Shkup.
Objekti i xhamisë dhe mejtepit nga janari i vitit 1999, përveç si objekt i kultit u shfrytëzua edhe nga kompania e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e fshatit Shkozë, si vendkomandë dhe vendstrehim i pjesëtarëve të saj.
Forcat serbe pasi thyen pozicionet e UÇK-së në mars të vitit 1999 e dogjën dhe e shkatërruan tërësisht këtë objekt.
Po ashtu sipas të dhënave të banorëve të këtij fshati në këtë xhami shërbyen shumë personalitete të njohura të fshatit Shkozë, si hoxha i parë i fshatit Mulla Bajram Bytyçi, njëherësh edhe pleqnar dhe veprimtar i njohur i viteve 1900-1913, më pas shërbeu Hafës Islam Bytyçi një hoxhë dhe intelektual i ri atdhetar, poet dhe pjesëtar i organizatës së fshehtë atdhetare “Drita” që veproi gjatë viteve 1930-1939.
Gjithashtu në këtë objekt fetar shërbeu edhe Mulla Adem Bytyçi, një hoxhë patriot i cili ishte udhëheqës i burrave të Shkozës dhe më gjerë në luftërat për mbrojtjen e kufirit të Shqipërisë etnike në Kollashin gjatë viteve 1942-44.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha ka theksuar se kjo xhami ka rëndësi historike.
“Themelet e rrënojave të xhamisë së fshatit Shkozë, tashmë të restauruara, janë me rëndësi historike, por edhe e veçantë për arkitekturën lokale, ngase është ndërtesa e vetme arkitekturore publike që ka pasur fshati Shkozë” “Veç tjerash aty janë shkolluar gjenerata të tëra me njohuri fillestare, pra, kjo ndërtesë ka ushqyer nevojën shpirtërore dhe arsimore të komunitetit dhe si e tillë ruajtja dhe prezantimi i këtij monumenti ishte i nevojshëm pasi që ajo paraqet burimin e dijes, dhe në të njëjtën kohë dëshmon edhe për pasojat shkatërrimtare të luftës së fundit në trashëgiminë kulturore” theksoj Hoxha.
Vlen të theksohet se pas restaurimit dhe konservimit të themeleve të këtij aset të trashëgimisë kulturore nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, banorët e këtij fshati kanë shprehur gatishmërinë e tyre për tu kujdesur për këtë monument, duke mos kursyer edhe mbështetjen financiare për rregullimin e ambientit rreth saj si dhe infrastrukturës përcjellëse.