Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë vizituar të shtunën tri shtëpi tradicionale në Prizren, të cilat janë restauruar rishtazi.
I pari i Qeverisë tha se familjet Kirajtani, Vetimi e Munik, i falënderuan për përkushtimin ndaj mbrojtjes së vlerave dhe kur në të kaluarën ka munguar mbështetja shtetërore.
“Gjatë mandatit tonë, buxheti për trashëgiminë kulturore është për gati katër herë më i lartë. Vetëm në Prizren kemi investuar mbi 4.5 milionë euro, që është më shumë se i gjithë buxheti i vitit 2021 për trashëgimi kulturore”, u shpreh tutje Kurti.
Ai përmes një postimi në Facebook, theksoi se me punën që po bëjnë, Qendrën Historike të Prizrenit, sipas tij po e bëjnë gati për ta nominuar në Listën Botërore të UNESCO-s.
“Qeveria jonë ndali degradimin e monumenteve, duke i vënë ato në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë lokale. Pothuaj nuk ka komunë ku nuk kemi restauruar këto më shumë se tre vjet e gjysmë të drejtimit tonë. E puna vazhdon, në dhjetëra monumente, gjithandej vendit. Duke i ruajtur dëshmitë e së kaluarës, ne fuqizojmë identitetin kulturor dhe potencialin ekonomik të vendbanimeve tona”, u shpreh kryeministri. /teve1