Shkruan: Milazim Krasniqi
Ne po jetojmë në kohën postmoderne, ku shumë vlera tradicionale janë përmbysur. Ndër ato vlera të përmbysura, në emër të lirisë dhe të kënaqësisë personale është edhe qëndrimi ndaj familjes dhe veçmas ndaj prindërve. Më duket se në këtë kontekst shembulli më trishtues është ai i filozofit Sllavoj Zhizhek, i cili në një intervistë për gazetën “Gardijan”, ka evokuar qëndrimin e tij ndaj prindërve të vet. Zhizhek tregon në atë intervistë se kur i kishte vdekur e ëma, e kishin njoftuar nga spitali, por ai nuk kishte shkuar fare as në spital, madje as në varrimin e saj. U kishte thënë që ta varrosnin, sepse ishte i zënë me punë! Njësoj kishte vepruar edhe kur i kishte vdekur babai. (Në intervistë, megjithatë, e pranon se i vie turp nga ajo që ka bërë me rastin e vdekjes së të dy prindërve të tij.)
Besoj se askujt nuk i duhet ky shembull, për ta kuptuar se sjellja e keqe ndaj prindërve është e shëmtuar dhe e trishtueshme. Nuk ka asnjë arsyetim sjellja e pahijshme ndaj prindërve, as me postmodernizmin, as me hedonizmin, as me konsumerizmin, as me neoliberalizmin. Kurdo që ndodhë ndonjë sjellje e pahijshme, ajo ka të bëjë me degjenerim, e jo me frymë të kohës, sepse nuk ka asnjë frymë të ndonjë kohe, kur sjellja e pahijshme ndaj prindërve do të ishte e përligjur moralisht, intelektualisht ose edhe ligjërisht. Përtej çdo konvencioni shoqëror, moral e kulturor, fjala e Zotit për sjelljen ndaj prindërve është aksiomë:
Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi… (46: 15)
Tash veç kthehuni dhe mendoni edhe një herë për sjelljen e Zhizhekut ndaj prindërve të vet dhe do ta kuptoni më mirë edhe “filozofinë” e tij përkatësisht manipulimin që bëhet me lirinë individuale, si gjoja e vetëmjaftueshme për njeriun.