Policia e Kosovës ka apeluar te pjesëmarrësit në komunikacion për kujdes në komunikacion, për shkak të reshjeve dhe erërave të forta gjatë natës së sotme.
Në apelin e policisë thuhet se gjatë orëve të fundit mbi vendin tonë kanë vazhduar të reshura të shiut të shoqëruara me erë, kjo ka bërë që në disa lokacione disa rrugë të jenë të mbuluara nga uji, po ashtu tani në orët e vona dukshmëria të ulet ndjeshëm.
“Gjatë kësaj kohe, janë raportuar të kenë ndodhur edhe aksidente në rrugët e vendit, përfshirë aksidente në autostradë. Njësitet policore janë në teren të mobilizuara për të shtuar sigurinë në trafik dhe po trajtojnë aksidentet që kanë ndodhur”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
“Me qëllim që të rritet vigjilenca dhe kujdesi, apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të përqendruar në ngasje dhe t’ia përshtatin shpejtësinë kushteve të rrugëve”, thotë policia.