Sonte në Banjallukë është mbajtur një paradë ceremoniale me rastin e 9 janarit, Ditës së Republikës Sërpska, e cila nga autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë është e shpallur si antikushtetuese, transmeton Anadolu.
Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, kryetari i Kuvendit Kombëtar të Republikës Sërpska (RS), Nenad Stevandiq, dhe një delegacion nga Serbia i kryesuar nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin.
Në mesin e të ftuarve ishin ambasadori i Federatës Ruse në BeH, Igor Kalabuhov, dhe përfaqësues të shumtë serbë të institucioneve të BeH-së.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës e ka shpallur shënimin e kësaj dite antikushtetues në vendimet e vitit 2015 dhe 2019. Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën Christian Schmidt përsëriti dje se shënimi i 9 janarit është vepër penale. Ai u kërkoi agjencive të zbatimit të ligjit, Zyrës së Prokurorit të BeH-së dhe policisë që të ndërmarrin hapat e duhur siç parashikohet nga ligji, veçanërisht në rastet që përfshijnë zyrtarë publikë dhe pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen ose organizimin e festimit të 9 janarit.
Manifestimi mblodhi rreth 3.000 pjesëmarrës, me qytetarë të shumtë të pranishëm.
I dërguari i presidentit të entitetit Republika Sërpska Milorad Dodik, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme të RS-së, Sinisha Karan, thanë se ata “për 30 vjet bëjnë përpjekje për paqen, bashkëjetesën, Marrëveshjen e Dejtonit, sovranitetin dhe lirinë”.
Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vulin tha se dita e Republikës Sërpska është festë e çdo serbi.
Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës i dërgoi sot një notë proteste Republikës së Serbisë për pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë shtetërorë në kremtimin e 9 janarit.