Asambleja Kombëtare e entitetit Republika Sërpska të Bosnjë dhe Hercegovinës konsideron se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është person i padëshirueshëm në territorin e RS-së dhe të Bosnjë dhe Hercegovinës për shkak të etiketimit të popullit serb si kriminel dhe qëndrimit se emri Republika Sërpska është emër nazist, është konstatuar në seancën e sotme të këtij kuvendi, transmeton Anadolu.
Në seancën e 14-të speciale që filloi dje, ftesa dhe ardhja e Albin Kurtit në BeH u dënua sot “si një akt provokimi i drejtuar kundër Republikës Sërpska dhe popullit serb”.
“Ftesat e tilla ndaj personave të padëshirueshëm nga organizatat joqeveritare nga Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës, pas të cilave pa dyshim fshihen përfaqësuesit politikë boshnjakë në institucionet e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, nuk mund të kontribuojnë në pajtimin dhe besimin mes popujve përbërës të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe përkeqësojnë më tej situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet në një nga konkluzionet e miratuara në seancën e sotme.
Ndër veprimet e dënuara janë edhe “sjellja e Zheljko Komshiqit dhe Denis Beqiroviqit, anëtarë të Presidencës së BeH-së, të cilët duke pritur Albin Kurtin në ndërtesën e Presidencës së BeH-së, kanë vepruar në kundërshtim me qëndrimin zyrtar se BeH nuk e njeh Kosovën”.
“Takime të tilla nuk mund të mbahen në institucionet e BeH-së”, thuhet më tej.
“Për të njëjtat arsye dënojmë sjelljen e Refik Lendas, nënkryetar i Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe Nermin Nikshiqit, kryeministër i Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilët u takuan edhe me Albin Kurtin në selinë e institucioneve të tyre”, shtohet në konkluzione.
Po ashtu u theksua se Republika Sërpska respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të miratuar më 10 qershor 1999, dhe se përfaqësuesit e saj në institucionet e BeH-së nuk do të lejojnë kurrë njohjen e Kosovës si të pavarur.
“Nëse vullneti i Republikës Sërpska vazhdon të mos respektohet në institucionet e përbashkëta të Bosnjës dhe Hercegovinës, ne do të përdorim të gjitha të drejtat e përcaktuara në të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht të drejtat e përcaktuara në nenin 1, paragrafi 2, dhe nenin 55 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të cilat përcaktojnë respektimin e parimit të barazisë së popujve dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje; në nenin 1, paragrafi 1 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 1, paragrafin 1 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, të cilat grantojnë që të gjithë popujt të kenë të drejtën e vetëvendosjes mbi bazën e së cilës ata përcaktojnë lirisht pozicionin e tyre politik dhe arrijnë lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor”, thuhet në njërin nga konkluzionet.
Republika Sërpska gjithashtu ka dënuar “aktivitetet politike të Kurtit që synojnë të shkaktojnë konflikt në Republikën e Serbisë dhe BeH me pasoja të paparashikueshme, prandaj i bëjmë thirrje Presidencës së BeH-së që ta shpallë atë person të padëshiruar në territorin e BeH-së për shkeljen e të drejtave të njeriut të popullit serb dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë”.
“Ftojmë Presidencën e BeH-së që në formë të një deklarate zyrtare të theksojë se takimi i zhvilluar me Albin Kurtin në asnjë mënyrë nuk paraqet akt të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe se nuk ka marrëveshje apo marrëdhënie bilaterale mes BeH-së dhe Kosovës”, thuhet në një tjetër konkluzion të miratuar sot nga Asambleja Kombëtare i RS-së.
Këto konkluzione, të cilat hyjnë në fuqi të nesërmen nga data e miratimit, do t’i dërgohen Presidentit dhe Qeverisë së Republikës Sërpska, Asamblesë Parlamentare të BeH-së, Presidencës së BeH-së, Këshillit të Ministrave të BeH-së, përfaqësuesve të RS-së në institucionet e BeH-së dhe zyrat e Zëvendëspresidentit të Federatës së BeH-së dhe Kryeministrit të Federatës së BeH-së.
Asambleja Kombëtare u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të RS-së në rrjetin diplomatik-konsullor të BeH-së që të udhëhiqen nga interesat e RS-së në punën e tyre.