Papunësia në Kosovë vazhdon të jetë njëri nga problemet thelbësore të qytetarëve të vendit. Nëntë vite pas shpalljes se pavarësisë së Republikës së Kosovës, papunësia sipas shifrave zyrtare është 26.2 për qind. Kurse, për çdo vit, në tregun e punës hyjnë 25 deri 30 mijë të rinj.
Përvjetori i nëntë i pavarësisë, Kosovën po e gjen të renditur si vendin më numrin me të lartë të te papunëve në Evropë.
E premtimet se shifrat papunësisë do të ulen nuk kanë të ndalur. Një premtim të tillë ditë më parë e ka dhënë edhe vetë shefi i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa.
Ai madje tha se gjatë këtij viti pritet të krijohen rreth 25 mijë vende të reja të punës, shifër kjo që mund të ulë normën e papunësisë nën 20 për qind, nga 26 për qind që regjistrohet aktualisht.
“Brenda dy viteve norma e papunësisë ka rënë nga rreth 35 për qind në 26 për qind. Për dy vjet kemi krijuar mbi 20 mijë vende pune. Po ashtu jam i bindur se papunësia është edhe më e ulët se këto shifra. Këtë vit do të hapim rreth 25 mijë vende të reja të punës. Po ashtu presim që norma e papunësisë të ulet nën 20 për qind”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Premtime se do të hapën vende të reja të punës dhe se papunësia do të bije, po jep edhe ministri i Punës, Arban Abrashi.
Ai madje thotë se kjo qeveri do të përmbush edhe premtimin e dhënë për punësim të 120 mijë kosovarëve.
“Për vitin 2016 vlerësohet se kjo shifër ka arritur në mbi 22 mijë persona, që nënkupton se trendi i punësimit po vjen duke u rritur, duke pas parasysh se edhe efekti i politikave të ndërmarra më herët ka arritur të jetë më i fuqishëm dhe në vit të plotë. Presim që ky trend të përshpejtohet edhe më tutje, duke u krijuar edhe më shumë vende pune në vitin 2017 e 2018, për të arritur afërsisht atë që e kemi premtuar, që është deri në 120 mijë të punësuar”, ka deklaruar ministri Abrashi.
Krijimi i vendeve të reja të punës në Kosovë, nuk është mision i pamundur për njohësit e ekonomisë. Por, ata kritikojnë Qeverinë se nuk është duke punuar në këtë drejtim.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se ballafaqimi i Kosovës me një situatë të rëndë politike ka lënë anash agjendën ekonomike.
“Nëse ekonomia nuk është prioritet i prioriteteve, atëherë si mund të krijohen vende të reja të punës. Duhet të kuptohet që kriza ekonomike në Kosovë gjenezën e ka në krizë juridike, derisa Kosova nuk e zgjedh krizën juridike, ne do të flasim për ekonomi, por do të jemi shumë larg ekonomisë dhe do të jemi shumë larg përmbushjes së premtimeve elektorale”, ka thënë Gerxhaliu për REL.
Kurse, Lumir Abdixhiku nga instituti Riinvest vlerëson se numrat final të papunësisë të prezantuar nga ASK nuk paraqesin gjendje reale të të papunëve në Kosovë.
“Vetëm pse një kalkulim i trajton si joaktiv mbi 62.4% të popullsisë, nuk do të thotë se të njëjtit janë të tillë. Pra problemet sociale të papunësisë janë shumë më të rënda se çfarë është paraqitur në këto kalkulime”, thotë Abdixhiku.
Ai porositë që secila qeveri e secila politikë ekonomike t`i marrë parasysh këto fakte “në të kundërtën operon me numra të pasaktë”. “Konsideroj se rajoni në të cilën gjendet Kosova – pra shtetet fqinje – kanë normë joaktive në mesatare nën 50 për qind”, deklaroi Abdigjiku.
Papunësia në disa vende të rajonit ka pësuar ulje. Përveç Sllovenisë të gjitha shtetet tjera në rajon e kanë shkallën e papunësisë mbi 10 për qind. Por pavarësisht rënies Kosova mbetet vend kampion për papunësi në Ballkan.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës shkalla e papunësisë është 26 për qind. Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e dytë të vitit 2016, shkalla më e theksuar e papunësisë me 51 për qind është tek grup moshat e reja prej 15-24 vjeç.
Krahasuar me vitin 2015, sipas rezultateve të AFP-së, shkalla e papunësisë në Kosovë ishte rreth 33 për qind.
Enti Shtetëror i Statistikave të Maqedonisë për tremujorin e tretë të vitit të kaluar publikoi të dhënat se shkalla e papunësisë arriti në 23.4 për qind, ndërsa në krahasim me tremujorin e dytë ka ulje me 0.6 për qind.
Me normën 7.3 për qind Sllovenia sipas të dhënave të vitit të kaluar ka shkallën më të ulët të papunësinë në rajon, ndërsa me të dhënat e fundit më keq është Bosnjë e Hercegovina me 27.5 për qind.
Shkalla e papunësisë sipas tremujorit të tretë të vitit të kaluar në Kroaci ishte 12.1 për qind, ndërsa në të njëjtë periudhë të vitit të kaluar në Serbi ishte 13.8 për qind dhe në Mal të Zi 16.9 për qind.