Republika Çeke vendos për vaksinimin e detyrueshëm të personave mbi 60 vjeç

Qeveria e Republikës Çeke ka miratuar një kërkesë për vaksinimin kundër Covid-19 për të gjithë personat mbi moshën 60 vjeç.

Si një nga aktet e fundit të qeverisë në largim, kërkesa do të hyjë në fuqi më 1 mars 2022, sipas një dekreti të Ministrisë së Shëndetësisë të botuar sot në Fletoren Zyrtare.

Vaksinimi do të jetë gjithashtu i detyrueshëm për personelin e kujdesit shëndetësor, infermierët, mjekët, studentët e mjekësisë, oficerët e policisë, zjarrfikësit dhe ushtarët.

Ende nuk dihet nëse rregullorja do të jetë në zbatim pasi qeveria e re të marrë pushtetin. Përfaqësuesit e koalicionit të ardhshëm pesëpartiak të liberalëve dhe konservatorëve janë shprehur publikisht kundër vaksinimit të detyrueshëm.

Pothuajse gjysmë milioni persona mbi 60 vjeç në Republikën Çeke nuk janë ende të vaksinuar plotësisht kundër Covid-19. Mes punëtorëve në shtëpitë e pleqve dhe shërbimet e infermierisë, shkalla e vaksinimit është vetëm 65 për qind.

Përfaqësuesit e mjekëve çekë janë të ndarë kur bëhet fjalë për vaksinimin e detyrueshëm. Ndërsa disa paralajmëruan se do të ishte e vështirë të kontrollohej, të tjerë e mirëpritën këtë vendim. /atsh