Kriza politike u përkeqësua sot në Bullgari, pasi parlamenti miratoi tërheqjen e kandidaturës së Plamen Nikolov si kryeministër i vendit, i caktuar për të formuar një qeveri të pakicës nga partia e re populiste dhe antisistem ”Ka një popull si ky” (ITN) i aktorit Slavi Trifonov, i cili ka grupin më të madh parlamentar prej 65 deputetësh nga 240 vendet në parlamentin njëdhomësh bullgar dhe është fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 korrikut të kaluar.
ITN e justifikoi këtë lëvizje me mungesën e mbështetjes nga forcat e tjera politike.
Ndërkohë, Trifonov ka njoftuar se deputetët e tij do të votojnë kundër çdo përpjekjeje të forcave të tjera politike për të formuar një ekzekutiv të ri.
Tani i takon presidentit, Rumen Radev për të dhënë, brenda një jave, një mandat eksplorues te forca e dytë politike në parlament, partia konservatore GERB, udhëheqësi i së cilës, Bojko Borisov ishte në qeveri për gati 10 vjet rresht.
Borisov deklaroi dje se GERB do t’i paraqesë propozimin kreut të shtetit, por do ta kthente mandatin pasi kërkonte të mbetej opozitë në parlamentin e ri.
Në atë rast Radev do të duhej të jepte një mandat të tretë dhe të fundit një force politike sipas gjykimit të tij.
Duket pra se Bullgaria mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, sipas analistëve, duke pasur parasysh copëzimin e parlamentit, i përbërë nga gjashtë forca politike. /atsh