Rëndësia dhe pozita e shehadetit

“La ilahe il`lall`llah”: Për këtë fjalë është krijuar toka dhe qiejt, për këtë fjalë janë krijuar të gjitha krijesat. Allahu i Madhëruar thotë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë”[1]

Për këtë fjalë është krijuar Dunjaja dhe Ahireti, për këtë fjalë Allahu i Madhëruar ka dërguar lajmëtarë, për këtë fjalë Ai ka shpallur libra dhe ka vendosur ligje. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua”[2]

Për këtë fjalë janë vendosur peshoret e veprave, për këtë fjalë janë përcaktuar librat e veprave të njeriut, për këtë fjalë është krijuar Xheneti dhe Xhehenemi, për shkak të kësaj fjale njerëzit janë ndarë në besimtarë dhe jobesimtarë, të përkushtuar dhe të shthurur.

Kush e pranon këtë fjalë, shpëton. Kush e refuzon këtë fjalë, është fatkeq.

Kjo fjalë është shkaku i krijimit të çdo gjëje, është shkaku i shpërblimit dhe ndëshkimit, në sajë të kësaj fjale, libri i veprave merret ose në të dajthtë ose në të majtë.

Kjo fjalë e rëndon peshoren e veprave të njeriut, ose e lehtëson atë.

Kjo fjalë e shpëton njeriun nga zjarri i Xhehenemit dhe refuzimi i saj e mban njeriun përjetësisht në Xhehenem.

Kjo fjalë është e vërteta, për të cilën është krijuar çdo gjë, me këtë fjalë Allahu i Madhëruar ka marrë besën nga të gjitha krijesat, për këtë fjalë – dhe për detyrimet që rrjedhin prej saj – do të pyeten dhe do të merren në llogari njerëzit. Për këtë fjalë është përcaktuar Kibla dhe për këtë fjalë ka zbritur feja.

Kjo fjalë është e drejta e Allahut të Madhëruar ndaj të gjithë robërve të Tij dhe detyrimi i të gjithë krijesave ndaj Allahut të Madhëruar. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Detyrimi i njerëzve ndaj Allahut është, që ta adhurojnë Atë dhe të mos i përshkuajnë Atij asgjë”[3]

Kjo fjalë është mirësia më e madhe, që Allahu i Madhëruar ua ka dhuruar robërve të tij besimtarë. Shehadeti është fjala e Islamit dhe çelësi i Xhenetit.

Me këtë fjalë mbrohet jeta dhe pasuria, për shkak të kësaj fjale është ligjëruar Xhihadi.

Shehadeti është baza e fesë dhe themeli i saj, është çështja kryesore e fesë dhe trungu i saj. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e Zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e Haxhit për atë që ka mundësi”[4]

Shehadeti është lidhja më e fortë, është fjala e vërtetë, është e vërteta, është fjala e përkushtimit, është fjala e qëndrueshme dhe e përjetshme.

Shehadeti është fjala e mirë dhe sevapi më i madh.

Shehadeti është dëshmia e drejtë, fjala e sinqertë, thirrja e vërtetë, dhikri më i mirë dhe fjala më e mirë që kanë thënë të gjithë të dërguarit (a.s)

Shehadeti është puna më e mirë, që mund të bëjë njeriu.

Tetë dyert e Xhenetit hapen për atë që e thotë këtë fjalë.

Shehadeti është fjala e madhe, për të cilën do të pyeten të gjithë krijesat, nga i pari tek i fundi. Askush nuk do të lëvizë para prezencës së Allahut të Madhëruar, pa dhënë përgjigje për dy pyetje: Çfarë keni adhuruar dhe si iu përgjigjët të dërguarve? Përgjigjia e pyetjes së parë është praktikimi i fjalës “la ilahe il`lall`llah”, duke e njohur këtë fjalë, duke e pranuar dhe duke punuar me të, ndërsa përgjigjia ndaj pyetjes së dytë është zbatimi i fjalës: “muham`medun rasulull`llah”, duke e njohur atë, duke e pranuar dhe duke e pasuar, sepse Muhamedi (a.s) është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij, është besniku për shpalljen e Tij, është krijesa më e mirë e Allahut të Madhëruar.

Ai (a.s ) është ura lidhëse mes Allahut të Madhëruar dhe robërve të Tij, ai u dërgua me fenë e vërtetë dhe rrugën e drejtë. Allahu i Madhëruar e ka dërguar Muhamedin (a.s) mëshirë për tëgjitha krijesat, e ka bërë imam të të përkushtuarve dhe argument për të gjitha krijesat.

Nëpërmjet Muhamedit (a.s ), Allahu i Madhëruar i orientoi njerëzit për tek e vërteta dhe për tek rruga më e qartë.

Nëpërmjet Muhamedit (a.s), Allahu i Madhëruar çeli sytë e të verbërve, zbuti zemrat e ngurta dhe hapi veshët e shurdhët.

Allahu i Madhëruar e ka bërë detyrë bindjen, mbrojtjen, ndihmën, respektin dhe dashurinë për Muhamedin (a.s).

Allahu i Madhëruar ka lënë të hapur vetëm një rrugë që të çonnë Xhenet dhe ajo është rruga e Muhamedit (a.s). Dyert e Xhenetit do të hapen vetëm për atë që ndjek rrugën e Muhamedit (a.s).

Allahu i Madhëruar ia hapi zemrën Muhamedit (a.s) me Islam, e lartësoi emrin e Muhamedit (a.s), duke ia bashkangjitur emrit të Tij (la ilahe il`lall`llah, muham`medun rasulull`llah) dhe ia largoi mundimet dhe peshën që kishte mbi supe. Kushdo që pason Muhamedin (a.s), është udhëzuar dhe ka shpëtuar.

Allahu i Madhëruar e ka kushtëzuar lumturinë e dy botëve me pasimin e rrugës së Muhamedit (a.s), ndërsa e ka bërë fatkeq në të dy botët çdo person, i cili e kundërshton rrugën e tij (a.s). Ata që ndjekin rrugën e Muhamedit (a.s ) janë të udhëzuar, të sigurtë, të shpëtuar, krenarë, nuk kanë nevojë për asgjë, janë të mbrojtur, janë të përkrahur dhe kalojnë jetë të mirë si në Dunja ashtu edhe në Ahiret.

Autor: Rushit Musallari

[1] – Sure Dharijat: 56.

[2] – Sure Enbija: 25.

[3] – Buhariu (2856) dhe Muslimi (30).

[4] – Buhariu (8) dhe Muslimi (16).