I. Pse të studiohet sira (jetëshkrimi) i Muhammedit a.s.
Kur bota ka aq shumë personalitete nga e shkuara dhe aktualisht, personali- tete karizmatike dhe me karrierë të gjatë e të fuqishme politike e ushtarake, mate- riale e kulturore, pse të studiohet pejga- mberi Muhammedi a.s. – personalitet i shekullit VI-VII, nga një vend shkretin- or dhe i prapambetur, vend i paarsimuar dhe luftarak etj..
Në pamundësi që të shpjegohet gjerësisht arsyeshmëria përse të studiohet jeta dhe vepra e Muhammedit a.s., në vazhdim do të theksohen vetëm disa:
1. Muslimani duhet ta ndjek shembullin e udhëheqësit të vet, Muhammedit a.s., në çdo pikëpamje të jetës. Ky është urdhër fetar dhe shkelja e tij do të thotë dalje nga besimi. Pa dyshim, asnjë musliman nuk e vë në dyshim këtë parim.
2. Mësimi i Muhammedit a.s. është shkruar dhe ruajtur nën kujdesin e drejtpërdrejtë të vetë Muhammedit a.s., i cili ka urdhëruar të mësohet, të shkruhet dhe të shumëzohet Kur’ani. Ruajtja e Kur’anit ka qenë detyrim fetar. Kur’ani është ruajtur me shkrim por edhe në mend – me metodë e dyfishtë.
3. Muhammedi a.s. nuk deklaroi se ai është lajmëtari i parë i Zotit. Përkundrazi, Zoti ka dërguar edhe më herët lajmëtar: Ademin, Nuhin, Ibrahimin, Musain, Isain etj. Për vetveten thotë se ai është ripërtëritës i misionit pejgamberik dhe fundi i këtij misioni.
4. Muhammedi a.s. iu dërgua tërë botës e jo vetëm një populli, dhe misioni i tij do të zgjasë deri në ditën e shkatërrimit të botës, kurse ndasitë racore, gjeografike, gjuhësore etj. i shndërroi në cilësi jetësore, në mirëkuptim të ndërsjellë, që nuk mbante në mend historia deri atëherë. Ai u lut për të tjerët dhe për veten, për këtë botë dhe për botën tjetër, kurse mjetet materiale i bëri mjete ekzistimi e jo synim.
6. Muhammedi a.s. nga besimtarët e tjerë u veçua vetëm në rrafshin e pranimit, komunikimit dhe të interpretimit të Shpalljes, por ai nuk u veçua në aplikimin e fesë karshi besimtarëve të tjerë; ai fali namaz, agjëroi, lutej, ishte i kujdesshëm ndaj njerëzve dhe krijesave të tjera, në luftë dhe paqe. Misioni i tij përfshinte besimin, moralin, ekonominë, politikën, arsimimin; përfshinte të gjitha poret e jetës me shembullin e tij teorik dhe praktik.(1)
II. Burimet historike të sirës së Muhammedit a.s.
Në historinë e njerëzisë kemi pak raste kur një personalitet është studiuar aq shumë dhe aq shpesh, sikurse është rasti me pejgamberin Muhammedin a.s.. Për të kanë shkruar edhe autorët nga mesjeta, edhe nga koha e re, por edhe nga ajo moderne. Janë shkruar mijëra vepra, në kohë të ndryshme, në gjuhë të ndryshme, nga autorë të feve të ndryshme, nga pikëpamje të ndryshme, edhe ata që e dojnë edhe ata që e urrejnë Muhammedin a.s.. Vlera e këtyre shkrimeve varet nga burimet historike të shfrytëzuara, por edhe nga burimet e burimeve të autorëve të vjetër.(2)
Shkenca e studimit të jetës dhe veprës së Muhammedit a.s., të sirës(3), me Ibn Hishamin mori formën shkencore, sepse deri atëherë kjo shprehje kishte kuptim të përgjithshëm.(4)
Por, nëse i bëhet një studim dhe analizë burimeve historike të jetës dhe veprës së Muhammedit a.s., do të dal në pah se shkenca e historiografisë islame i identifikon disa burime kryesore të sirës në Islam.
II. 1.Kur’ani i lartësuar
Kur’ani është fjala e Allahut të madhërishëm, e shpallur Muhammedit a.s., për t’ia komunikuar tërë botëve (li’l-alemin). Kur’ani është shpallur shkallërisht, në periudhën kohore 23 vjeçare, duke e përcjellë jetën e Muhammedit a.s. në Mekë dhe Medinë dhe rrethanat e përgjithshme të bashkësisë muslimane.(5)
Kur’ani e përshkruan jetën e Muhammedit a.s.:
“A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë? A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e të udhëzoi?“. (Ed-Duha, 6-7)
Dhe moralin e lartë të Muhammedit a.s.:
“Se ti je me virtyte madhore.“ (El-Kalem, 4).
Kur’ani i përshkruan edhe problemet, vuajtjet dhe kontestet e ndryshme me të cilat është përballur gjatë misionirt të tij pejgamberik:
“Mund të ndodhë që ti (Muhamed) të lësh mënjanë diçka nga ato që të janë shpallur ty dhe të të ngushtohet kraharori, sepse ata thonë: “Përse nuk i është dërguar ndonjë thesar?” ose, “Përse nuk vjen një engjëll me të?” Ti je vetëm paralajmërues e Allahu kujdeset për çdo gjë. “ (Hud, 12).
Kur’ani i përshkruan në hollësi edhe akuzat dhe ofendimet e rënda të politeistëve se Muhammedi a.s. është i çmendur, fallxhor etj.:
“Por Kur’ani është vetëm këshillë për botët.“ (El-Kalem, 52).
“Ata (idhujtarët) thonë: “O ti që të është shpallur Këshilla (Kur’ani), ti je vërtet i marrë!“ (El-Hixhr, 6).
“Elif Lâm Râ. Këto janë ajetet e Librit plot urtësi. Vallë, pse çuditen njerëzit që Ne i shpallëm njërit prej tyre (duke i thënë): “Paralajmëroji njerëzit dhe jepu lajmin e mirë atyre që besojnë se, me të vërtetë, për ata ka shpërblim të mrekullueshëm te Zoti i tyre!” Mohuesit thanë: “Ky është njëmend magjistar i madh!” (Junus, 1-2).
“Ne e dimë mirë që ata thonë: “Atë e mëson një njeri”! Por ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kur’ani) është në gjuhën e qartë arabe.“ (En-Nahl, 103).
Kur’ani fletë edhe për luftrat e muslimanëve kundër jomuslimanëve, si Bedri, Uhudi, Pakti i Hudejbisë, Çlirimi i Mekës dhe Hunejni. Kur’ani përmend problemet familjare të Muhammedit a.s. dhe për gratë e tij. Kur’ani përmend edhe mu’xhizet e Muhammedit a.s. si: Kur’ani, Israja dhe Mi’raxhi etj. Mënyra e transmetimit të Kur’anit deri sa është shkruar nga shokët e Muhammedit a.s. dhe ruajtja e tij ka qenë i padiskutueshëm dhe nuk mund të bëhet vërejtje në autenticitetin e tij. Normalisht, në rrëfimet kur’anore duhet pasur parasysh stilin e Kur’anit që fletë në parim, pa hyrë në hollësi. Kjo “zbrazëti” është plotësuar me hadithet e Muhammedit a.s. dhe me sunetin e tij, sepse ai quhet fjala e gjallë e Kur’anit, praktikimi i tij.
II. 2. Veprat e hadithit – Sunneti
Në mësimin islam, hadithi apo sunneti është ajo që Muhammedi a.s. e ka folur, e ka vepruar apo e ka lejuar me heshtje, me gjestikulacion, me pamje të fytyrës etj. Ky informacion është i hollësishëm me meritën e shokëve të Muhammedit a.s., të cilët zhvilluan një shkollë të tërë, një mori disiplinash të shkencës së hadithit (ulum’ul-hadith) për të regjistruar dhe verifikuar çdo hollësi rreth fjalëve dhe veprave të Muhammedit a.s.. Këto hadithe janë ruajtur në vepra të ndryshme të hadithit, emrat e të cilave ndryshojnë varësisht nga metoda e përdorur nga ana e autorit. Ato quhen: sahih (Sahihu i Buhariut, Sahihu i Muslimit etj.), sunen (Suneni i Ebu Davudit etj.), musned (Musnedi i Imam Ebu Hanifes, i Ibn Hanbelit etj). Kryesisht, këto vepra gjenden në përmbledhjen e njohur si Kutub’s-sitteh (Gjashtë përmbledhjet më të njohura) etj..
Këto hadithe përfshijnë mijëra hadithe dhe trajtojnë pikëpamje të shumta të jetës së Muhammedit a.s.. Në to kemi hollësi për të folurit e Muhammedit a.as., për lëvizjet e tij në paqë dhe luftë, për ibadetin, për familjen, shokët, ndejet, luftrat, gostitë. Në bazë të të dhënave që gjenden aty, dijetarët kanë ‘portretuar’ tërë jetën e Muhammedit a.s.. Në këto vepra, mund të gjendet edhe ndonjë hadith jo fort autentik, por në këtë kanë dhënë shenjë dijetarët e ndryshëm gjatë historisë.(6)
II. 3. Poezia arabe nga koha e Muhammedit a.s.
Poezia dhe oratoria te arabët parakur’anor ishte ndër gjinitë e kultivuara me kujdes dhe njëkohësisht paraqet burim me shumë rëndësi për studimin e sirës së Muhammedit a.s.. Madje, fjala e urtë arabe thotë: Esh-shi’ru diwwan’ul-areb që do të thotë se “Poezia është ditari, arkivi i arabëve”(7). Ka edhe shumë trashëgimi nga kjo kohë, por, sipas M. Hamidullahut, e për fat të keq, ato ende nuk janë hulumtuar(8) dhe presin dorën dhe dijen e shkencëtarëve.
Ka njoftime se edhe vetë Muhammedi a.s. i ka dëgjuar disa poetë me dëshirë, sikurse Hasan ibn Thabitin dhe Ka’b ibn Zuhejrin. Madje, Hasani, pas pranimit të Islamit quhej Shair’un-nebij – poet i Muhammedit a.s.(9) Ai me poezinë e tij ka mbrojtur Islamin dhe Muhammedin a.s. nga poetët politeistë. Poezitë ofrojnë informacione të shumta për Muhammedin a.s. dhe për mjedisin e atëhershëm. Po ashtu, poezia parakur’anore ndihmon në shumë raste në të kuptuarit e vokabularit kur’anoro-sunnetik. Shumë fjalë të rralla apo me kuptime të ngatërruara janë deshifruar nëpërmjet poezisë. Se poezia ka pasur rol me rëndësi, e pohon edhe Ibn Abbasi.(10)
II. 4. Veprat biografike për Muhammedin a.s.
Autori që shkruan për Muhammedin a.s. ka një punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ai duhet të shkruaj për njeriun dhe për pejgamberin, për veprimet njerëzore dhe për mu’xhizet e pejgamberit. Për këtë arsye, autori duhet ta njohë në përpikëri personalitetin e Muhammedit a.s. por edhe ta njoh fenë islame, që të dallojë në tërë këtë elementin hyjnor nga ai njerëzor. Po ashtu, duhet të njihet historia e asaj kohe dhe rrethanat përcjellëse, si politika, shkenca dhe dituria, rrethanat ushtarake, fetë dhe të tjera, që të vlerësohet saktë paraqitja e tij në skenë.
Megjithatë, shumë herët janë paraqitur vepra për Muhammedin a.s. Madje, disa të dhëna rrjedhin nga vetë shokët e tij. Por, për shkak të rrethanave historike, shumica e tyre janë humbur, pos ndonjë fragmenti që është ruajtur. Ndër ata që herët kanë shkruar sire të Muhammedit a.s. ka qenë: Urve ibn Ez-Zubejr ibn Avami (vd. 92 h.), Ebban ibn Uthmani (vd. 105 h.), Vehb ibn Munebbehu (vd. 110 h.), Ibn Shihab Ez-Zuhriu (vd. 124 h.) etj.(11) Ndër veprat e para që është ruajtur pjesërisht është ajo e Muhammed Ibn Is’hakut (vd. 151 h./768) me titull Es-Siret’un-nebevij (Jetëshkrimi i Pejgamberit) dhe e Vakidiut (vd. 207 h./822) El-Megazi en-nebevijjeh (Fushatat ushtarake të Pejgamberit) dhe Ridda.(12)
Siren e Ibn Ishakut e përpunoi, e sistematizoi dhe e shkarkoi nga gjerat e tepërta Ibn Hishami dhe kjo vepër njihet me emrin Siretu Ibn Hisham.(13) Kjo histori është ndër më të vjetrat dhe më besniket për jetën e Muhammedit a.s., vepër epokale, dhe paraqet tentimin e parë që personalitetin dhe veprimtarinë e Muhammedit a.s. ta vendosi në suaza të historisë botërore. Kemi edhe rezime të kësaj vepre, por edhe botime kritike, me shpjegime, sqarime, që paraqet një vepër shumë të mirë. Një version të tillë e kanë përkthyer edhe boshnjakët në gjuhën e tyre.(14) Me veprën e Ibn Hishamit mund të krahasohet deri diku edhe ajo e El-Vakidiut që e përmendëm më lartë.(15)
Kemi edhe autorë të tjerë që shkruan për sirën, si Tabekat ibn Sa’d (vd. 230 h.), Tarih’ut-Taberij (vd. 310 h.), Zadu’l-mead e Ibn Xhevzije (vd. 751) dhe El-Bidajetu ven-nihajeh të Ibn Kethirit (vd. 744 h.), Ujun’ul-asar e Ibn Sejjidunnasit (vd. 1334), El-Mevahib’ul-ledunijjeh e El-Kastalaniut (vd. 1517) etj.etj.
Kemi dhe vepra të tjera klasike për këtë temë, por ne me këtë rast do t’i përmendim edhe disa sire të reja, sidomos atë të: Muhammed El-Gazaliut, Abbas M. El-Akkadit, Seid Ramadan El-Butit, En-Nedeviut, Mustafa Sibaiut, S. Mubarekfurit, Muhammed Hejkelit, Muhammed Hamidullahut etj.(16)
III. Akcesi bashkëkohor ndaj sirës së Muhammedit a.s.
Zhvillimet dhe lëvizjet e shumta politike, ekonomike, intelektuale në shekullin XIX dhe XX kanë nxitur interesim të shtuar dhe serioz për jetën e Muhammedit a.s.. Në këtë angazhim dallohen disa akcese, qasje:
– Disa autorë kanë shkruar autobiografi të hollësishme duke aplikuar metodologji bashkëkohore të punës dhe hulumtimeve shkencore. Sipas një shkrimi kritik të Z. Adiloviq këto autobiografi shtrojnë problemin, sqarojnë momente me rëndësi por nuk insistojnë në aplikimin e sires në praktikën tonë. Në këtë kategori ky kritik numëron veprën e Muhammed Hamidullahut, të Safijurrahmanit e të ngjashme.(17)
– Akcesi i dytë është ai ku autorët sirës i qasen nga aspekti moral, këshillues, me dëshirë për të nxitur vetëdijësimin e besimtarëve. Vepra të tilla janë Siretu hamet’in-nebijjin të Ebul’-Hasan En-Nedevij, vepra e Muhammed El-Gazaliut dhe El-Butit me titull Fikh’us-sireh, veprat e Sejjid Havasë, Mustafa Es-Sibaiut et.
– Akcesi i tretë është ai musliman por për nevojë të jomuslimanëve, sikurse është vepra e Hejkelit (Jeta e Muhammedit a.s.), apo ajo e S. H. Nasrit (Muhammedi, njeriu i Zotit). Këto vepra më tepër angazhohen të sqarojnë momente më të rënda ose të diskutueshme në shkencë dhe në jetën e përditshme dhe nuk merren me predikime.
– Kemi edhe akcesin në të cilin shkrimet hulumtuese i përkasin orientalisitikës dhe islamistikës akademike perëndimore, sikurse janë ceprat e M. Wattit, Th. Arnoldit, K. Armstrongut etj. Disa nga këto vepra janë shkruar me plotë sinqeritet dhe emocione, si: Martin Lings, Annemarie Schimmel etj. dhe lexuesi musliman duhet të jetë i kënaqur me atë që shtrohet dhe me mënyrën si është shtruar çështja.
– Akcesi i fundit është për të gjithë, muslimanë dhe jomuslimanë, sepse me pak fjalë, por me ilustrime, harta, grafikone, fotografi të lashta e të reja, autori përpiqet të ofrojë jetën dhe veprën e Muhammedit a.s. në mënyrë krahasuese dhe mjaft tërheqëse. Të tillë e kemi siren bashkëkohore të përgatitur nga Shawki Ebu Halili.(18)
– Në fund do të theksojmë edhe akcesin tendencioz, blasfemues të autorëve jomuslimanë, të cilat Islamin dhe Muhammedin a.s. e paraqesin si jotolerant, luftarak, dhe e arsyetojnë luftën aktuale perëndimore kundër muslimanëve.(19)
IV. Në vend të përmbylljes
Të gjitha studimet e bëra që nga koha e hershme e deri te studimet e fundit, madje edhe ato nga jomuslimanët, pa marrë parasysh dallimet e vogla dhe fuqinë kreative të autorëve, tregojnë se Muhammedi a.s. ishte personalitet i madh botëror, i cili me gjeniun dhe karakterin e tij, e rifilloi një epokë të re në historinë e njerëzisë. Autorët e ndryshëm çdo ditë zbulojnë momente të reja, frymëzim të ri, sa që mund të thuhet se shërbejnë madje si programe frymëzimi e veprimi për brezat e rinjë përgjatë rruzullit botëror.
Madje, edhe evropianët çdo ditë e më shumë kanë qëndrim më të ekuilibruar ndaj Islamit dhe Muhammedit a.s..
Literatura:
1. Ibn Hisam, Poslanikov zivotopis, Sarajevo, 1998.
2. Jusuf Ramic, Obzorja arapsko-islamske knjizevnosti, Sarajevo, 1999.
3. Muhammed Hamidullah, Muhammed a.s., 1, botimi I, Zagreb, 1977.
4. Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevo, 1990.
5. Nexhat Ibrahimi, Leksikoni i thukët islam, dorëshkrim për botim në Bashkësi Islame.
6. Safvet Halilovic, Sira, zivotopis posljednjeg Allahoibvog Poslanika, Zenica – Novi Pazar, 2007.
7. Shawqi Abu Khalil, Atlas on the Prophet’s Biography – Places, Nations, Landmarks, Rijadh, 2004.
8. W. Montogomery Watt, Muhammad, Prophet and Statesman, Oxford University Press, 1961
9. W. Montogomery Watt, Muhammed prorok i drzavnik, Sarajevë, 1989.
10. Zuhdija Adilovic, Promovija djela Muhammed – covjek Boziji Sejjida Husseina Nasra, në: http://www.znaci.com/osnovi_vjerovanja/osnovi/O-sirama-Bozijega-poslanika-Muhammeda-alejhisselam-objavljenim-na-nasem-jeziku-kroz-prikaz-knjige-Sejjida-Huseina-Nasra-Muhammed–Covjek-Boziji.html.
——————————————————————————–
(1) Parafrazim nga: Muhammed Hamidullah, Muhammed a.s., 1, botimi I, Zagreb, 1977, fq. 27-29.
(2) Safvet Halilovic, Sira, zivotopis posljednjeg Allahovog Poslanika, Zenica – Novi Pazar, 2007, fq. 28.
(3) Siretun është fjalë arabe dhe ka kuptime të shumta: veprim, sjellje, mënyrë e jetës, jetëshkrim, anal etj, por në kuptimin terminologjik sire do të thotë: Biografia e Muhammedit a.s.., jetëshkrimi tradicional i Muhammedit a.s.. Sireja më e hershme dhe më e rëndësishme është ajo e Ibn Is’hakut e shkruar në gjysmën e dytë të shekullit VIII dhe ajo e Ibn Hishamit, e shkruar një shekull më vonë, në bazë të sires së Ibn Is’hakut. Sipas: Nexhat Ibrahimi, Leksikoni i thukët islam, dorëshkrim për botim në Bashkësi Islame.
(4) Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevo, 1990, fq. 546-547.
(5) Edhe W. Montogomery Watt, pranon Kur’anin si burimin kryesor për hulumtimin e jetës së Muhammedit a.s., madje ai pranon edhe autenticitetin e Kur’anit nga koha e Muhammedit a.s., por nuk e pranon Kur’anin si burim hyjnor dhe thotë se ai nuk mjafton si burim historik, sepse shumë aspekte nuk i thekson, për të përfunduar se këtë vakum lexuesi mund ta gjejë në biografi të shumta…. Shih: W. Montogomery Watt, Muhammad, Prophet ans Statesman, Oxford University Press, 1961, ose përkthimi boshnjak W. Montogomery Watt, Muhammed prorok i drzavnik, Sarajevë, 1989, fq. 237.
(6) Safvet Halilovic, op. cit., fq. 30-31.
(7) Muhammed Hamidullah, Muhammed a.s., 1, op. cit., fq. 32. Libri i M. Hamidullahut është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe pritet të botohet së shpejti në Logos-A.
(8) Muhammed Hamidullah, Muhammed a.s., 1, op. cit., fq. 32.
(9) Jusuf Ramic, Obzorja arapsko-islamske knjizevnosti, Sarajevo, 1999, Hasan ibn Thabiti fq. 63-100 dhe Ka’b ibn Zuhejri fq. 101-114.
(10) Safvet Halilovic, op. cit., fq. 31.32..
(11) Ibn Hisam, Poslanikov zivotopis, Sarajevo, 1998, fq. 6.
(12) Muhammed Hamidullah, Muhammed a.s., 1, op. cit., fq. 32-33.
(13) Ibn Hisam, op. cit.
(14) Ibn Hisam, op. cit.
(15) Për rëndësinë e El-Vakidiut shih: N. Smailagic, op. cit., fq. 547.
(16) N. Smailagic, op. cit., fq. 547.
(17) Është mendimi ynë se Zuhdija Adiloviq eksagjeron në kritikën e tij, sepse destinimi i veprës është së M. Hamidullahut është shkencor, analitik, informativ e prezantues e jo moralizues, udhërrëfyes e predikues, që i ofrohet tregut shkencor botëror. Mirëpo në këtë vepër besimtari do të gjejë tërë madhështinë e jetës dhe veprës së Muhammedit a.s.. Shih në: Zuhdija Adilovic, Promovija djela Muhammed – covjek Boziji Sejjida Husseina Nasra, në: http://www.znaci.com/osnovi_vjerovanja/osnovi/O-sirama-Bozijega-poslanika-Muhammeda-alejhisselam-objavljenim-na-nasem-jeziku-kroz-prikaz-knjige-Sejjida-Huseina-Nasra-Muhammed–Covjek-Boziji.html.
(18) Shawqi Abu Khalil, Atlas on the Prophet’s Biography – Places, Nations, Landmarks, Rijadh, 2004. Po ky autor e ka shkruar edhe Atylasin për Kur’anin dhe shpresojmë ta botojmë në një të afërme të afërt.
(19) Sipas: Zuhdija Adilovic, op. cit.
Nexhat Ibrahimi
Dituria Islame / 211
/islamgjakove