Rekord infektimesh/ OBSH: Shifra më e lartë deri më sot

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar se numri i konfirmuar i rasteve të koronavirusit në shkallë globale është rritur me më shumë se 294 mijë në 24 orët e fundit, shifër kjo më e larta e regjistruar deri më tani. 

Më shumë se 21 milionë njerëz janë infektuar tani nga virusi në shkallë globale, sipas shifrave të universitetit Johns Hopkins. Mbi 771 të tjerë kanë humbur jetën. 

Shifra më e lartë e viktimave në botë është e regjistruar në shba, me thuajse 170 mijë nga gjithsej më shumë se 5 milionë rastet e regjistruara atje. Situata mbetet e vështirë dhe vetëm 24 orët e fundit janë regjistruar 47913 raste të reja dhe 1029 viktima. Në total, koronavirusi ka prekur 5 361 165 amerikanë.Robert Redfield, drejtor i qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve ka paralajmëruar këtë javë se nëse amerikanët nuk respektojnë masat për parandalimin e koronavirusit, si mbajtja e maskave dhe evitimi i tubimeve, ekziston rreziku i regjistrimit të dështimit më të madh sanitar të parë ndonjëherë. 

Situata po përkeqësohet edhe në Evropë, ku Spanja, Gjermania, Franca por edhe Italia po shohin rritje shifrash. Franca ka regjistruar një rekord të ri ditor të rasteve të koronavirusit që kur në maj u hoq izolimi. Sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë, në 24 orët e fundit, rastet e reja kanë qenë 3310. Në rritje të ndjeshme është edhe numri i pacientëve në reanimacion, plot 376. 

Në total, që nga fillimi i pandemisë në Francë, kanë humbur jetën gjithsej 30409 persona. Ndërsa në Itali, autoritetet raportuan 629 raste të reja 24 orët e shkuara, shifër kjo më e larta që nga 23 maji. Edhe Japonia është në alarm pasi janë raportuar më shumë se një mijë raste të reja ditore për të tretën ditë radhazi, me mbi 400 vetëm në Tokjo./tch