Regjistrohet një rast me linë e majmunit në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka njoftuar se me datën 26 dhjetor 2024 në orët e pasdites, Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e majmunëve.

“Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje. Pacienti është në gjendje stabile shëndetësore”, thuhet në njoftim.

IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit.

IKSHPK tërheq vëmendjen për kujdes të qytetarëve, pasi sipas njoftimit personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht.

“Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik”, thuhet në njoftim.