Regjistrimi i popullsisë mbetet një prej detyrave imediate, që si proces, parimisht rëndon mbi supet e organeve qeveritare në çdo kohë. Ai bëhet edhe më i rëndësishëm sa herë që në një vend ndodhin transformime politike, sociale ose ndryshime demografike. “Demografia është fati i një populli” – është një frazë e cituar shpesh nga studiuesit e fushave socio-politike, e cila rrëfen më së miri se sa i rëndësishëm është për një vend regjistrimi i popullsisë. Thënë më ndryshe, statistikat dhe regjistrimet e popullsisë japin prognozën e pagabuar për fatin e saj, por edhe përshkruajnë besnikërisht se ku do vejë një shoqëri në periudhën afatmesme e afatgjatë.
Edhe regjistrimi ynë i popullsisë, që tani është në proces e sipër, nuk del dot nga ky rend. Çdo e dhënë në rezultatin e statistikës së përgjithshme ka vlerë të veçantë, andaj jo rastësisht edhe ndahet rubrikë specifike për një mori pyetjesh relevante. E në këtë kuadër, edhe rubrika e deklarimit të besimit fetar duket të jetë tejet me vlerë për shoqërinë dhe për institucionet tona.
Në saje të detyrave të veta, Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, u ka bërë ftesë publike qytetarëve që të deklarojnë besimin e tyre, e jo të shprehen inferiorë ose të papërcaktuar fetarisht, sepse, përtej stereotipave iluzioniste që mund t’i ketë dikush, kjo, në thelb rrëfen për një pjesë qenësore të identitetit të këtij populli. E, po të mos ishte feja apo besimi faktor jorelevant në shoqëri, do të dukej absurd edhe përfshirja e kësaj pyetjeje në censusin kombëtar te ne dhe jo vetëm. Ky nuk është thjesht një regjistrim, për më tepër kemi të bëjmë me një vizion afatgjatë, i cili ndërthurë në vetvete dimensionet shtetërore, fetare e kombëtare.
Në perceptimet e njohësve të fushave gjegjëse, bindjet dhe praktikat fetare të popullit duket se kanë potencial të madh për të adresuar problemet e sotme sociale. Siç është shprehur edhe Allen Bergin, profesor i psikologjisë në Universitetin amerikan “Brigham Young” se: “Ka prova të konsiderueshme që tregojnë se përfshirja fetare redukton probleme të tilla si: shthurjen morale, shtatzëninë e adoleshentëve, vetëvrasjen, abuzimin me drogën, konsumimin e alkoolit, dhe deri diku veprimet devijuese dhe delikuente. Ajo, pos të tjerash rrit vetëvlerësimin, kohezionin familjar dhe mirëqenien e përgjithshme. Në përgjithësi, shkencëtarët e fushave sociale po zbulojnë fuqinë e vazhdueshme të fesë për të mbrojtur familjen nga forcat që do ta rrezikonin atë.” Shikuar në konstatimin e mësipërm, edhe shoqëria jonë, nëse jo në nivel të atyre perëndimore, dosido qëndron në një terren të rrezikuar nga po të njëjtat rreziqe, e të cilat mund të lajthisin rrugëtimin e drejtë të shtetit tonë të porsaformuar.
Në kuptimin tonë kombëtar, të deklarohemi ashtu siç jemi në shumicë myslimanë, është një shprehje e besnikërisë ndaj bindjeve tona të trashëguara dhe ruajtje e diferencës me ata që duan t’i shkrijmë gjithë këto diferenca. Siç theksonte edhe rilindësi ynë, Sami Frashëri, “shqiptarët myslimanë përbënin një barrierë ndaj idesë imperialiste megalomane greke dhe sllave.” Dhe meqenëse pozita jonë gjeografike nuk ka ndryshuar në hartë, dhe fqinjët tanë i kemi po ata që ishin edhe në epokën e rilindësve tonë mendjendritur, deklarimi ynë siç jemi në shumicë, se i përkasim besimit islam, e natyrisht, edhe deklarimi i të krishterëve e protestantëve siç janë të tillë, përbën pos të tjerash edhe një akt të lartë patriotik që nuk do të duhej të neglizhohej nga asnjëri.
Vetëm duke qenë kështu, mbetemi digë e lartë përballë orekseve ekspansioniste të atyre, që e kaluara na rrëfen se fqinjësia jonë me ta nuk na ka falur qetësinë e një fqinjësie të mirë. Në këtë kuptim, thirrjet meskine që vijnë për të braktisur këtë trashëgimi, apo për të ndryshuar proporcionalitetin religjioz të shoqërisë sonë në favor të njërës apo fesë tjetër, në këtë kohë, janë tentativa për të prekur gjenin identitar të këtij populli. Ato cenojnë diversitetin e shëndoshë religjioz që ka ngulitur rrënjët në truallin tonë, dhe kanë efekt negativ aq sa për të shpërqendruar vëmendjen nga sfidat reale që cenojnë shtëpinë tonë të përbashkët.
Editorial
Dituria islame 402
Prof. Driton Arifi