Regjimi sirian i Bashar al Asadit thuhet t’i ketë ofruar një autonomi grupit terrorist PKK/PYD në këmbim të tërheqjes së tyre nga zonat të cilat i mbajnë nën kontroll, mirëpo në vend të kësaj organizata ka kërkuar status të federatës, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve nga burime të besueshme, regjimi i Asadit të dielën ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të PKK/PYD-së, të cilat janë mbajtur në qarkun Qamishli të provincës Hasakah, e cila mbahet nën kontroll të regjimit.
Regjimi sirian është përfaqësuar nga Ali Mamlouk, kryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
Burimet e AA-së thonë se Mamlouk i ka dhënë garanci PKK/PYD-së se regjimi sirian do të njoh autonominë e organizatës terroriste në rajon, në këmbim të braktisjes së territoreve të cilat i ka pushtuar gjatë luftës civile në Siri.
Megjithatë, thonë burimet, PKK/PYD ka refuzuar një ofertë të tillë duke kërkuar ndryshim të kushtetutës së shtetit, por përkundër dështimit fillstar për të arritur një marrëveshje, palët janë dakorduar për një takim tjetër në të ardhmen.
Takimi në fjalë është mbajtur në kohën kur PKK/PYD e përkrahur nga SHBA-të, po avancon dukshëm në teren.
Siç njoftohet, Rusia ka ndërmjetësuar takimin e regjimit sirian dhe PKK/PYD-së me përfaqësues të nivelit të ulët.
Paraprakisht, muajin e kaluar, ministri i Jashtëm i Sirisë, Walid Mualem, tha se autonomia kurde në Siri është diçka e negociueshme.
Në fillim të tetorit PKK/PYD mori kontrollin në Raka, që ishte kryeqyteti i vetëshpallur i DEASH-it në Siri në një operacion të mbështetur nga ushtria amerikane. Kjo organizatë terroriste ka pushtuar çerekun e territorit të Sirisë, pjesa më e madhe e të cilit është e banuar me popullatë arabe dhe turkmene.