Për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga regjimi i Bashar-al-Assad-it, 80 për qind e afro 50 mijë civilëve që jetojnë në lagjet e shënjestruara në qytetin Daraa në jugperëndim të Sirisë kanë braktusur shtëpitë e tyre dhe kanë migruar në lagje të tjera, teksa vazhdojnë bisedimet për paqe, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas burimeve lokale, migrimi ka vazhduar këtë javë në lagjet Daraa al-Balad, vendbanimet pranë autostradës Sad dhe lagjet e kampeve në Daraa për shkak të sulmeve me mortaja dhe artileri nga forcat e regjimit në qendër të qytetit.
Bisedimet vazhdojnë
Qendra e Pajtimit që përfaqëson popullin në Daraa dhe regjimi vazhduan negociatat nën ndërmjetësimin e Rusisë.
Gjatë bisedimeve, pala e regjimit donte që njerëzit që jetonin në Daraa al-Balad të dorëzonin të gjitha armët e tyre, të lejonin kontrollin e shtëpive dhe të dorëzonin disa prej anëtarëve të armatosur të opozitës.
Megjithatë, banorët kundërshtuan kërkesat e regjimit, i cili dëshiron të forcojë kontrollin e tij në lagjen e rrethuar.
Qyteti Daraa, i njohur si vendlindja e revolucionit sirian, ishte një bastion i opozitës deri në vitin 2018.
Forcat e Assad-it dhe milicitë e mbështetur nga Irani filluan një operacion tokësor në lagje më 29 korrik, duke duke vrarë 15 civilë dhe duke shkaktuar përleshje që u përhapën në zonën përreth.
Daraa al-Balad u bllokua nga forcat e regjimit më 25 qershor pasi banorët, përfshirë ish-anëtarët e opozitës siriane, i rezistuan një urdhri për të dorëzuar armë të lehta dhe për të lejuar forcat e regjimit të kontrollonin shtëpitë.
Sipas Qendrës së Pajtimit dhe figurave lokale, urdhri u kundërshtua sepse shkelte kushtet e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia në vitin 2018, sipas së cilës banorët dhe ish-anëtarët e opozitës duhej të dorëzonin të gjitha armët e rënda.
Marrëveshja u mundësoi mijëra rebelëve dhe civilëve kalim të sigurt në rajonet e tjera të kontrolluara nga opozita, ndërsa forcat e regjimit të mbështetura nga Rusia filluan një sulm për të rimarrë qytetin Daraa.
Regjimi filloi aksionin e tij ushtarak pavarësisht se ranë dakord javën e kaluar për të hequr bllokadën. /aa