Regjimi i Bashar al Asadit në Siri ka ndërprerë ujin e pendës në rajonin e rrethuar Hola në pjesën rurale në veri të Homsit, raporton Anadolu Agency (AA).
Rajoni Hola pranë qytetit të Homsit në pjesën qendrore të Sirisë, prej pesë vitesh gjendet i rrethuar nga forcat e regjimit. Forcat e regjimit nuk lejojnë dërgimin e ndihmave humanitare për 70 mijë civilë që jetojnë në rajon.
Muajin e fundit regjimi ka penguar edhe rrjedhën e ujit të pendës së këtij rajoni, e cila ka kapacitet prej 16 milionë metrash kubë.
Banorët e rajonit përpiqen t’i plotësojnë nevojat për ujë duke e blerë ujin me tankerë. Megjithatë, mungesa e ujit përbën kërcënim të madh për tokat bujqësore. Bujqit janë duke u përpjekur që t’i ujisin tokat e tyre të mëdha duke bartur ujin.
Halid Ebu Rahhal, bujk i rajonit, për AA tha se ndalja e ujit nga ana e regjimit i ka dëmtuar të mbjellat.
“Nëse kjo vazhdon kështu, atëherë të gjitha kulturat tona do të zhduken. Bujqësia është tejet me rëndësi për një rajon të rrethuar. Regjimi këmbëngul që ta ngushtojë rrethimin”, theksoi Ebu Rahhal.
Ndërkaq, Jasir Salih, banor i rajonit, thotë ujin janë duke e blerë me tankerë. “Ujin po e blejmë me tankerë. Arat përpiqemi t’i ujisim me zorrë. Një tankerë me ujë kushton shtatë mijë lira siriane (rreth 14 dollarë). Shumë shtrenjtë. Kjo do të reflektojë edhe në çmimin e perimeve”, tha Salih.
Ndryshe, regjimi muajin e kaluar ka ndalur ujin edhe në liqenin artificial në qytetin Rastan, i cili po ashtu gjendet nën bllokadën e regjimit, duke lënë në gjendje të vështirë bujqit dhe peshkatarët e rajonit.
Sa herë që regjimi synon të marrë nën kontroll një zonë të caktuar, ai fillimisht përdor taktikën e rrethimit të asaj zone. Më pas, sulmon intensivisht nga ajri dhe toka zonat e rrethuara dhe pamundëson hyrjen e ndihmave humanitare, duke detyruar kështu popullatën të braktisin shtëpitë.
Nga ana tjetër, duke mos dashur dëmtimin e mëtutjeshëm të civilëve, opozita ushtarake ndalon rezistencën dhe nënshkruan marrëveshje me forcat e regjimit për “evakuimin e civilëve dhe njësiteve ushtarake”.