Refuzuesi estetik dhe politik i së keqes

Salajdin Salihu

Rugova, si studiues, ishte vetëm njeriu i mendimit, kurse si politikan ai e hodhi idenë në veprim. Si njeri veprimi, ai e dinte çfarë synonte, por edhe cilat ishin mundësitë dhe rrugët për realizimin e një synimi jetik kombëtar. Vizioni i Rugovës dhe i bashkëmendimtarëve të tjerë ishte krijimi i shtetit të pavarur dhe modern – shtetit të Kosovës. Ndryshe nga ajo kohë, sot kemi shumë politikanë pa ide, pa strategji dhe pa vizion politik.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, që drejtohej nga Ibrahim Rugova, ishte më shumë se parti politike. Ajo u shfaq si lëvizje gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare, që drejtohej prej një elite intelektuale, kryesisht nga shkrimtarët, kurse misioni i saj ishte pavarësia e Kosovës nëpërmjet rezistencës paqësore.

LDK-ja nuk kishte pushtet real, por e kishte “pushtetin moral”. Falë këtij “pushteti”, ajo arriti të organizonte sistem paralel në administratë, shkollë e shëndetësi dhe t’i bojkotonte të gjitha institucionet e instaluara nga regjimi serb.

Rugova si studiues dhe intelektual i angazhuar

Para themelimit të LDK-së, Ibrahim Rugova njihej si studiues i çmuar i letërsisë dhe si intelektual i angazhuar. Në librin Refuzimi estetik ai shkroi edhe një sprovë për rolin e intelektualit në shoqëri, ku e veçoi qasjen e Sartrit mbi “intelektualin burimor” dhe “intelektualin e angazhuar”. Nëse “intelektuali burimor” merret vetëm me profesionin e tij, “intelektuali i angazhuar” merr edhe përgjegjësi shoqërore.

Rugova, si intelektual, u angazhua për denoncimin e padrejtësive historike ndaj shqiptarëve, por edhe për dekonstruktimin e ideologjisë së mbështetur në mitin mbi Betejën e Kosovës, që u krijua nga elita intelektuale dhe kishtare serbe.

Etnologu Ivan Çoloviq (1938), që mëton ta dekonstruktojë këtë ideologji, në librin Vdekja në Fushë Kosovë – historia e mitit të Kosovës (2016), shkroi se për Ibrahim Rugovën ky mit ishte “mjet për mjegullimin e realitetit dhe armë kundër shqiptarëve”.

“Kosova u bë mitologemë për të shkatërruar një realitet aktual dhe historik dhe për të fshehur një strategji kundër një populli”, tha Rugova. Sipas tij, raportet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve mund të përmirësoheshin vetëm kur pala serbe do të çlirohej nga robëria e mitit të Kosovës. Më 1989, Rugova deklaroi për “Spiegel”-in gjerman se shtypja e shqiptarëve “do të çonte në kryengritje”, kurse “kremtimi i 600 vjetorit të Betejës së Kosovës ishte provokim dhe festë e pastër shoviniste serbe”.

Ibrahim Rugova e filloi veprimtarinë politike derisa ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, selia e së cilës, për rrethanat tona, e ka vlerën e selisë së një kuvendi dhe të një qeverie njëkohësisht.

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ishte zëri më i fuqishëm kundër sundimit të egër. Shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë, në rrethanat e reja, ashtu si veprimtarët e Rilindjes Kombëtare, iu përkushtuan kauzës kombëtare, për sa kohë Kosova ishte nën një sundim të egër, ku, siç shkroi Ali Podrimja, “dhuna ishte bërë ligj”. Elita intelektuale u bashkua për shpëtimin e një pjese të kombit në orët më të liga në historinë e tij. Shumë shkrimtarë dhe intelektualë të çmuar, të cilët, përveçse vlerësohen për punën e tyre letrare apo shkencore, duhet të vlerësohen edhe për kontributin shoqëror gjatë kësaj periudhe të zymtë. Mjerisht, shpesh mendojmë se historia fillon me ne. Harrojmë se rrugëtimi i një kombi drejt lirisë është proces i gjatë, ku kanë marrë pjesë dhe kanë sakrifikuar breza të tërë.

Rugova si misionar

Nëse Ibrahim Rugova, si studiues dhe intelektual, ishte refuzuesi estetik i së keqes, si veprimtar politik, pra si lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe si president i Kosovës, ai u bë refuzuesi politik i së keqes së prodhuar institucionalisht sipas një programi të paracaktuar nga elitat serbe.

Rugova, si studiues, ishte vetëm njeriu i mendimit, kurse si politikan ai e hodhi idenë në veprim. Si njeri veprimi, ai e dinte çfarë synonte, por edhe cilat ishin mundësitë dhe rrugët për realizimin e një synimi jetik kombëtar.

Vizioni i Rugovës dhe i bashkëmendimtarëve të tjerë ishte krijimi i shtetit të pavarur dhe modern – shtetit të Kosovës. Ndryshe nga ajo kohë, sot kemi shumë politikanë pa ide, pa strategji dhe pa vizion politik. Ndryshe nga ajo kohë, sot kemi shumë politikanë pa ide, pa strategji dhe pa vizion politik. Ayn Rand-i tha se njeriu pa synim është i çoroditur. E njëjta gjë vlen edhe për kombet.

Ibrahim Rugova, i cili ishte kryetari i parë i Republikës së Kosovës në kohë sundimi, por edhe në kohë lirie, kishte një ideal për të cilin punoi pa reshtur, pa e harxhuar energjinë politike me çështje të parëndësishme dhe kalimtare.

“Gandi i Kosovës”“Haveli i Kosovës”, por edhe “politikani i moderuar me një qëllim ekstrem”, siç u quajt, filloi me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Në konferencat e shumta për shtyp, ai e denonconte dhunën shtetërore ndaj shqiptarëve dhe njëherësh e afirmonte vizionin e popullit dhe të elitës intelektuale për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Rugova e ndoqi politikën e rezistencës pasive, sepse mendonte që “thertorja nuk ishte forma e vetme e luftës”. Kosova, sipas tij, vetëm nëpërmjet organizimit politik paqësor mund ta shmangte vetëvrasjen dhe katastrofën kolektive. Njëkohësisht, ai e ndoqi politikën e marrëdhënieve të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me BE-në.

Glorifikimi, asgjësimi dhe rivlerësimi

Ibrahim Rugova, gjatë karrierës së tij politike, nëse i referohemi asaj që e tha Fan Noli për Skënderbeun, herë u glorifikua dhe herë u sulmua, kurse rivlerësimi i veprimtarisë së tij politike dhe kombëtare do të bëhet në të ardhmen.

Gjatë fazës së glorifikimit, Rugova u barazua edhe me një profet. Rugovës mund t’i jetë dashur ky glorifikim gjatë misionit politik, por me gjasë ka qeshur me këtë krahasim. Mjafton t’i lexojmë sprovat e tij për prijësin politik.

Rugova edhe u sulmua ashpër nga kundërshtarët politikë. Madje, u krahasua edhe me Judën. Si çdo politikan, edhe Rugova ka bërë gabime. Stefan Cvajgu, te novela për Vidukën, shkroi se kush dëshironte të jetonte pa mëkate, duhej t’i ngryste ditët në vetmi. Por, krahasimi i Rugovës me Judën është qëllimkeq.

Profesori francez, Renaud de La Brosse, në studimin “Propaganda politike dhe projekti ‘Të gjithë serbët në një shtet’: pasojat e instrumentalizimit të medias për qëllime ultranacionaliste”, që u përgatit me kërkesë të Gjykatës së Hagës, shkroi edhe për marrjen peng të presidentit Ibrahim Rugova nga ana e regjimit të Millosheviqit, që autoritetet dhe mediat serbe tentonin ta paraqisnin si “takim”. Rugova, sipas tij, ishte marrë peng nga paraburgimi shtëpiak në Prishtinë dhe ishte dërguar në Beograd. Me të bëhej “një bisedë e çuditshme dhe surrealiste”. Regjimi i Millosheviqit tentonte të mashtronte se ishte i gatshëm t’i riniste negociatat, pikërisht kur “forcoheshin operacionet për pastrim etnik”.

Veprimtaria politike dhe kombëtare e Rugovës, siç thamë, do të rivlerësohet në të ardhmen. Për rivlerësimin e një epoke ose figure historike duhet distancë kohore, atëherë kur emocionet dhe zhurma e përditshmërisë nuk do ta errësojnë arsyen. Historia e shkruar shpejt është vetëm propagandë në shërbim të autoriteteve të caktuara politike. Historia e vërtetë do të shkruhet nga historianët që ende nuk kanë lindur. Ata do ta rivlerësojnë realisht dhe me paanësi figurën e Rugovës, filozofia politike e të cilit, sipas mendimit tim, i është dashur Kosovës së robëruar, por i duhet edhe Kosovës së sotme, sepse i përjashton konfliktet politike.

Lideri më autentik i hapësirës shqiptare

Rugova është lideri më autentik i hapësirës shqiptare. Ai iu përkushtua misionit të tij pa hyrë në polemika, zënka, kritika dhe ofendime. Rugova ishte politikani racional dhe jo emocional. Kjo është e domosdoshme për një politikan me mision. Shpërthimet emocionale të çastit shpesh sjellin pasoja të paparashikueshme, veçanërisht në çaste delikate historike. Zef Pllumi tha: “Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve”.

Ibrahim Rugova ishte politikani me orientim perëndimor – një orientim jo vetëm pragmatik, por edhe programatik. Ai ishte politikani humanist, i kulturuar dhe i çmuar në qarqet politike e intelektuale ndërkombëtare, që punoi për krijimin e një shteti modern, me pluralitet ideologjish politike dhe me kulturë debati politik. Sepse, nuk është njëmendësia, por pluraliteti i ideve, i mendimeve, i vizioneve dhe i veprimeve politike, ai që e mundëson mbrothësinë e një kombi dhe shteti.

Presidenti me shall ishte edhe imazh i bukur për Kosovën, në kohën kur ajo nuk njihej ndërkombëtarisht e, madje, paragjykohej. Kosovës i duhen politikanët që i krijojnë imazh të bukur në botë. Ky imazh krijohet vetëm me forcimin e shtetit të së drejtës, ku respektohen vlerat e demokracisë dhe ku mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Rugova, ky politikan i heshtur dhe fjalëpak, vazhdimisht e përsëriti “refrenin e kompromisit”, që në fakt ishte kërkesë reale dhe esenciale: “Ne jemi për një Kosovë të pavarur, njësoj të hapur si ndaj Serbisë, ashtu edhe ndaj Shqipërisë”. Pra, për një Kosovë si shtet demokratik i qytetarëve të saj, fillimisht nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Ashtu edhe ndodhi.

Kosova sot është shtet i pavarur, ndonëse pavarësia e shteteve është relative. Në kohën e përbotësimit asnjë shtet nuk është tërësisht i pavarur, veçanërisht shtetet e vogla, që duhet të dinë si të pozicionohen në konstelacionet gjeopolitike dhe të krijojnë aleatë. Rugova krijoi aleatë dhe jo armiq. Kosovës sot i duhet që të jetë sa më pranë aleatëve të Rugovës dhe të punojë me përkushtim për integrimin në BE dhe NATO. /revistashenja