Ballina Arritje Refugjatja siriane shpik jelekun që shpëton jetë

Refugjatja siriane shpik jelekun që shpëton jetë

Sida Obaid, vajza 19-vjeçare siriane, ka shpikur një jelek që mund të shpëtojë mijëra jetë, duke përfshirë këtu edhe jetët e familjarëve të saj. Jeleku i projektuar prej saj përmban një pajisje GPS dhe një sensor uji. Nëpërmjet këtyre dy elementëve bëhet e mundur gjetja e vendndodhjes së personit që është në rrezik mbytjeje.

Sida Obaidit i lindi ideja e këtij jeleku kur dëgjoi planin e të atit për t’u larguar nga Siria. Duke folur për shpikjen e saj, Obaid shprehet: “Pasi dëgjova planin e babait, nisa të imagjinoja sikur do të zgjohesha me lajmin që ai ishte mbytur e që nuk kishte pasur njeri afër për ta ndihmuar. Imagjinoja se si do të ndihesha në ato çaste. Do të isha krejtësisht e rrënuar. Do të ndjeja dhimbjen e atyre njerëzve në ato çaste të tmerrshme në det. Kështu, nisa të mendoja se ç’mund të bëja, derisa më lindi ideja e jelekut ‘të zgjuar’ të shpëtimit.”

Mbi 5.6 milionë sirianë janë larguar nga Siria qysh prej shpërthimit të luftës civile në vitin 2011 në këtë vend. Mijëra prej tyre janë përpjekur të kalojnë Mesdheun, për të kërkuar azil në Evropë. Ky kalim përmes ujit është emërtuar si “rrugëtimi më vdekjeprurës”. Më shumë se 33.000 emigrantë kanë vdekur gjatë përpjekjeve për ta kaluar detin qysh prej vitit 2000.

Jelekët e shpëtimit janë jetësorë për shpëtimin e njerëzve nga mbytja. Pajisja e tyre me elementë të rinj mund të çojë në shpëtimin e jetëve të shumta njerëzore. /tesheshi.com/

Exit mobile version