Australia sërish ka bërë histori pasi gruaja e parë refugjate afgane me hixhab fitoi një vend në Senat nga Australia Perëndimore, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Fatima Payman ka fituar vendin e gjashtë dhe të fundit në Senatin e Australisë Perëndimore, duke u bërë australiania e parë afgane dhe gruaja e parë muslimane e veshur me hixhab në parlament, raportoi SBS News.
Kryeministri Anthony Albanese dhe drejtuesit e partisë së tij uruan Payman për fitoren e saj.
“Urime senatore Payman”, shkroi kryeministri në Twitter.
Patrick Gorman, ministër ndihmës i kryeministrit, tha se është krenar që shteti i tij po dërgon Fatimën për t’i përfaqësuar ata në Canberra.
“Senatorja e zgjedhur Payman është një muslimane australiane me rrënjë kulturore nga Afganistani”, shkroi Gorman në Twitter.
“Ajo punoi shumë për të mbështetur kandidatët dhe anëtarët laburistë në të gjithë Australinë Perëndimore. Kjo është një fitore për shtetin tonë dhe një fitore për anëtarët bazë të @walabor që ndihmuan që vota e Senatit tonë të arrijë në këtë nivel”, shtoi ai.
Payman mbërriti si refugjate nga Afganistani me prindërit dhe tre vëllezërit e motrat e saj, përpara se të rritej në Perth, sipas SBS News.
Payman falënderoi mbështetësit e saj pasi komisioni zgjedhor shpalli fitoren e saj.
“FITUAM!!! Jam krenare të njoftoj se jam zgjedhur zyrtarisht si senatore për Australinë Perëndimore”, postoi ajo në Facebook.
“Faleminderit të gjithëve për dashurinë dhe mbështetjen tuaj! Ia dolëm!” shtoi ajo.
Në fillim të këtij muaji, për herë të parë në historinë e Australisë, kryeministri Albanese përfshiu dy pjes”etarë muslimanë, Anne Aly dhe Ed Husic, në kabinetin e tij. /aa