Forcat e sigurisë franceze po keqtrajtojnë në mënyrë sistematike refugjatët në Paris, deklaroi Françoise Sivignon, kryetarja e Shoqatës Mjekët e Botës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një deklarate me shkrim, Sivignon ka theksuar se policia në mënyrë të vetëdijshme ka zbatuar një politikë të frikësimit ndaj muslimanëve që sërish kanë ardhur në rajonin Porte de la Chamelle të Parisit pas evakuimit të rreth 2.500 refugjatëve më 18 gusht.
Sivignon ka thënë se numri i policëve në rajon është rritur pas evakuimit. “Forcat e sigurisë po keqtrajtojnë në mënyrë sistematike refugjatët”, ka theksuar ajo.
Për shkak të kësaj dhune, gjendja e refugjatëve është duke u përkeqësuar edhe më tej, thekson Sivignon, duke shtuar se aktualisht nuk janë duke u plotësuar nevojat urgjente për refugjatët, siç janë ndihmat ushqimore dhe ato mjekësore.
Po ashtu, Sivignon ka bërë të ditur se policët kohë pas kohe kanë penguar edhe aktivitetet mjekësore të Mjekëve të Botës dedikuar refugjatëve në rajon.
Ndryshe, 2.376 meshkuj, 60 femra dhe 23 fëmijë që jetonin në kampin në rajonin Porte de La Chapelle më 18 gusht u transferuan në 18 salla sportive në Paris dhe rrethinë.
Qendra me kapacitet për vetëm 50 persona e themeluar nga qeveria në rajonin Porte de La Chapelle ishte e pamjaftueshme për plotësimin e nevojave të refugjatëve. Për këtë arsye, refugjatët detyroheshin të strehoheshin me mundësitë e tyre në tenda të improvizuara.
Shumë organizata joqeveritare dhe kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo kritikojnë qeverinë për kushtet e vështira në të cilat jetojnë refugjatët./Mesazhi/