Shumë muaj i kalova duke fjetur jashtë, të gjithë këta që i shihni këtu janë emigrantë dhe të gjithë jetojnë jashtë. Ata thonin ‘në Evropë ka humanizëm’. Unë pata dëgjuar shumë se në shtetet si Gjermania dhe Franca ka humanizëm dhe dashuri njerëzore, por vet e pashë nga afër, nuk ka humanizëm dhe dashuri njerëzore, këtu emigrantët trajtohen shumë keq, ne u nënshtrohemi abuzimeve verbale, askujt nuk i intereson askush…”, thotë Zahiri për AA.
Edhe ato që tregon Abadi, i cili ka ardhur nga Pakistani, nuk janë shumë ndryshe nga ato të Zafirit.
“Poshtërimin që e kemi parë në Paris, nuk e kemi parë askund tjetër në botë”, shprehet ai.
Shumica e atyre të cilët jetojnë nëpër rrugët e Parisit janë nga Afganistani, Pakistani dhe shtetet e Afrikës e të Lindjes së Mesme.
Tendat e tyre i vendosin në brigjet e kanalit Shën Martin dhe në rajonin Porte de la Chapelle, meqë këto vende janë shumë afër me qendrat e aplikimit për azil.
Shumica prej tyre presin me muaj që t’u vijë radha për të aplikuar për azil. Deri në atë ditë do të mbeten nëpër rrugë, mirëpo nga ana tjetër, pas këtij aplikimi nuk është e sigurtë nëse ata do të vendosen diku ose jo.
Shahiri nga Tunizia për AA thotë se ka njerëz që vdesin edhe nga i ftohti, duke theksuar se, “Pesë persona humbën jetën nga i ftohti. Po! Njerëzit vdiqën nga i ftohti. Është diçka e zakonshme, askush nuk pyet asgjë për ta…”.
– Mungesa e kampeve të mjaftueshme për refugjatët, arsyeja e vështirësive të tyre
Arsyeja kryesore e problemit në rrugët e Francës, i cili shkon duke u rritur, është mungesa e kampeve të mjaftueshme për refugjatët.
Numri i emigrantëve të cilët mbeten nëpër rrugë u rrit edhe më shumë me prishjen e kampit Calais në vitin 2016, i cili shpesh përmendej me shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas të dhënave zyrtare në këtë kamp banonin 5.596 persona, ndërsa sipas parashikimeve 7 mijë.
Kryeministri i Francës, Edouard Philippe gjatë muajve të verës tha se 40 për qind e azilkërkuesve dhe refugjatëve në Francë nuk kanë vend për strehim dhe se në 80 mijë shtëpi dhe strehimore aktuale, brenda 2 viteve do të shtohen edhe 12 mijë e 500 të tjerë.
Por, vetëm numri i atyre që kanë ikur në Francë gjatë vitit 2016 është 85 mijë.
Në ofrimin e strehimoreve, përparësi kanë fëmijët, gratë dhe familjet. Ndërsa meshkujt e pamartuar pranohen vetëm për 10 ditë në qendrat ku mund të qëndrojnë refugjatët.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në ditët e para të detyrës së tij ishte shprehur se “Duhet t’i mirëpresim emigrantët. Kjo është detyra jonë, duhet të mburremi për këtë”.
Mirëpo, atë që tregojnë emigrantët është shumë larg nga fjalët e liderit francez.
Muhammedi nga Libia ka ikur nga trafikantët me qenie njerëzore, drama e fëmijëve jetimë, lufta e vazhdueshme dhe vdekja, nga e cila ka shpëtuar për një fije floku. Ai tregon se është rrëmbyer nga trafikantët me qenie njerëzore, por nuk dëshiron të japë detaje.
“Njerëzit duhet t’i dinë kushtet në të cilat ndodhemi ne. Pra, nuk kemi banjo ku të pastrohemi. Ke takim, si të shkosh? Nuk ka askush që të ndihmojë”, thotë ai.
Ata të cilët jetojnë nëpër rrugë janë gjithmonë në ankth, policët në çdo moment mund t’i shkatërrojnë tendat e tyre.
“Parisi është shumë i ftohtë dhe unë nuk kam shtëpi. Policia çdo herë kur vjen na thotë ‘shko diku tjetër’. Shkoj në një vend tjetër, polici vjen dhe përsëri më thotë ‘shko aty-këtu’. Vazhdimisht jemi duke ndryshuar vendin…”, thotë 19 vjeçari Gul, i cili ka ikur nga Afganistani.
Në mbrëmje, kur moti bëhet më i ftohtë, edhe për Gul bëhet më e vështirë të qëndrojë në një vend. Për më shumë se një vit ndodhet në Paris. Nëna dhe babai i tij kanë vdekur. Tani ka vetëm një vëlla i cili jeton në atdheun e tij, por edhe me të nuk ka folur më shumë se një vit.
Duke e treguar tendën e tij në kamerë Gul thotë se atë e përdorin 5 persona.
Gjithashtu edhe Akbali është nga Afganistani, por ai nuk është emigrant. Aty ndodhet për ndihmë, nuk vjen çdo ditë por përpiqet të sjellë ushqim sa herë që gjen mundësi.
“Këta persona nuk kanë asgjë”, thotë Akbal duke i përkujtuar të gjithë se “Ata po ikin nga lufta, nga varfëria. Po të mos kishin ndodhur këto, cili prej tyre do të kishte ardhur këtu?”.