Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, hodhi poshtë sot pretendimin e gazetarit dhe analistit politik të medias izraelite “Channel 12”, Amit Segal, sipas së cilit “administrata Trump është në negociata me qeverinë shqiptare për të pranuar në Shqipëri 100 mijë refugjatë nga Rripi i Gazës”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama siguroi se kjo nuk është aspak e vërtetë.
“Nuk kam dëgjuar diçka kaq të pavërtetë prej shumë kohësh—dhe ka pasur shumë lajme të rreme kohët e fundit! Absolutisht nuk është e vërtetë.
Respekt dhe solidaritet të plotë për popullin e Gazës, i cili është çnjerëzuar nga regjimi barbar i Hamasit dhe ka përjetuar një luftë të tmerrshme pas tmerrit mesjetar të 7 Tetorit. Por dua të jem i qartë: Shqipëria nuk është kërkuar nga askush, dhe as mund ta marrim në konsideratë të marrim një përgjegjësi të tillë.
Jemi krenarë për miqësitë tona të forta me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe, sigurisht, popullin palestinez, shtetin e të cilëve Shqipëria e ka njohur shumë kohë më parë.
Por Shqipëria nuk është vetë në Lindjen e Mesme, dhe nga zemra e Europës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se çfarëdo shteti tjetër europian në një çështje të tillë. Megjithatë, dëshirojmë dhe lutemi që popullit palestinez t’i jepet mundësia të jetojë në shtetin e tij, si një popull i lirë nën sundim demokratik, dhe që Hamasi të mos mundet më kurrë të dëmtojë Izraelin—ose, mbi të gjitha, vetë palestinezët.”