Ballina Artikuj Reflektime kuranore (1)

Reflektime kuranore (1)

Prof. Adnan Simnica

“Thuaj (o Muhamed): Udhëtoni nëpër botë e shikoni si ka qenë përfundimi i atyre para jush. Shumica e tyre kanë qenë pabesimtarë (idhujtarë)”. (Er-Rum, 42)

Në ajetet paraprake Allahu Fuqiplotë vërteton prerazi se Ai është Zoti i vërtetë i botëve, ngase vetëm Ai absolutisht krijon, furnizon, bën vdekjen e ringjalljen, e zotat e trilluar të pabesimtarëve kurrë nuk mund të bëjnë diçka të tillë. Ai sqaron se dukuritë negative të njerëzve janë shkak i çrregullimeve, katastrofave, tërmeteve dhe të këqijave të tjera që godasin njerëzit. Ndërsa në këtë ajet, Krijuesi tërheq vërejtjen mos ndoshta do t’i godasë njerëzit ajo që kishte goditur popujt e mëparshëm, edhe pse ata i shohin gjurmët e tyre të mbetura kur udhëtojnë nëpër botë. Prandaj, kur njeriu sheh gjurmët e përfundimit fatal të tyre, atëherë dekurajohet nga rruga që ndoqën ata dhe nuk i pason të tillët.(1) Meqë Allahu i Madhërishëm sqaroi se shfaqja e çrregullimeve është rezultat i punëve të këqija të njerëzve, në këtë ajet Ai sjell shembullin e atyre të mëparshmëve që i ndëshkoi, ngase veprimet e tyre të këqija ishin të njëjta me të tyre, dhe i bëri shembull e mësim për të gjithë brezat vijues, pra e urdhëron Pejgamberin a.s. t’ua kujtojë këtë fakt, në mënyrë që të marrin mësim(2) ; marrje mësim nga popujt që i shkatërroi për shkak të krimeve dhe të këqijave të tyre, siç ishin populli i Nuhut, populli Ad, Themud etj…. Kjo përmbajtje e këtij ajeti paraqet shkallën më të lartë të renditjes kuptimore bashkë me dy ajetet paraprake, ngase në kohën e mirënjohjes dhe veprimeve të mira të tyre, Fuqiploti dëshmoi me fjalët: “Allahu është Ai Që ju krijoi e ju furnizoi”, d.t.th. së pari ju krijoi, e pastaj ju mundësoi me furnizim që të mbeteni gjallë në tokë. Ndërsa, në kohën e mosmirënjohjes, përgënjeshtrimit dhe të këqijave nga ana e tyre, Ai dëshmoi me fjalët: “Si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, janë shfaqur shkatërrime (skamje, katastrofa, humbje të bereqetit etj.) në tokë dhe në det”, d.t.th. ka zvogëluar mirësitë e Tij ndaj tyre. Kurse në vijim theksoi ajetin e mësipërm: “Thuaj (o Muhamed): “Udhëtoni nëpër botë e shikoni si ka qenë përfundimi i atyre para jush”, d.t.th. Allahu xh.sh. ju zhduk ju sikurse zhduku ata që ishin para jush, ju krijoi të ekzistoni dhe ju mundësoi të jetoni, por mund t’jua marrë që të dyja, mundësinë për të jetuar jua merr me shfaqjen e çrregullimeve dhe të këqijave, ndërsa ekzistimin jua merr me ndëshkim.(3)
Mbase Zoti Fuqiplotë e ka përmendur “Tokën” me qëllimin jo vetëm për sipërfaqen e saj dhe ujin, po shprehja “Tokë” e përmendur në Kur’an përfshin edhe mbështjellësin e saj ajror, dhe prandaj edhe rrokulliset bashkë me të, dhe pa të nuk ka jetë në Tokë. Pra, ajri është pjesë e Tokës dhe është nga gjërat më të rëndësishme për të jetuar, një fakt që e dëshmoi Krijuesi kur tha: “Ai krijoi në tokë male të palëvizshme, që ngrihen lart (kodra), e bekoi atë dhe përcaktoi të gjitha kushtet për të jetuar në të…” (Fussilet, 10)(4). Njeriu është i privilegjuar nga të gjitha krijesat ee tjera, qofshin ato shtazore, bimore apo botës inorganike, dhe të gjitha janë në shërbim të njeriut. Prandaj, nëse njeriu, të cilin e ka fisnikëruar Allahu xh.sh., nuk kryen misionin e tij për çfarë është krijuar, atëherë ai bie në nivel më të ulët sesa krijesat e tjera, ngase të gjitha ato, në bazë të instinktit hyjnor, kryejnë një mision të caktuar nga Krijuesi. Për të arritur njeriu nivelin e kërkuar të misionit tij, Fuqiploti i bën thirrje me fjalët: “Udhëtoni nëpër botë e shikoni si ka qenë përfundimi i atyre para jush”, që nënkupton: Udhëtoni nëpër tokë për turizëm, biznes e çështje tjera, por shikoni dhe meditoni argumentet mbi ekzistimin e Allahut – Zotit të Vetëm të gjithësisë, dhe shikoni e meditoni mbi gjurmët e popujve të mëparshëm, që u ndëshkuan, në mënyrë që të merrni mësim. Ndëshkimi hyjnor ka goditur disa popuj të mëparshëm për shkak të mëkateve dhe krimeve të tyre, ashtu siç konfirmon Kurani: “Ju që kaloni pranë rrënojave të tyre në mëngjes, dhe (në mbrëmje) natën, a nuk po mblidhni mend”? (Es-Saffat, 137-138). Dhe, ja, me të vërtetë gjurmët e kulturës dhe përparimit të lartë shkencor të tyre i shohin njerëzit në vazhdimësi edhe sot e kësaj dite, si p.sh. të faraonëve, ndonëse shkenca ende s’mund të sqarojë sekretin e balsamosjes së trupave të vdekur (mumieve), apo të kallinjve të grurit a elbit, që janë të ruajtura me mijëra vjet dhe, nëse ato mbillen, ndoshta mund të zhvillohen. Kjo tregon zhvillim shumë të përparuar shkencor të atyre popujve që ndëshkoi Zoti xh.sh. për shkak të krimeve të tyre, dhe megjithëkëtë ata nuk munden t’i shpëtonin ndëshkimit. Allahu Fuqiplotë për qytetërimin e faraonëve ka theksuar: “Dhe me faraonin, i fortifikuar me tenda (ushtarake)” (El Fexhr, 10), kurse për Irimin, Allahu xh.sh. theksoi: “Të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata”?! (El Fexhr, 8). Shih se çfarë qytetërimi dhe kulture!! Shih çfarë përparimi në të gjitha aspektet e jetës!! E ku është ajo tashti?! Ka përfunduar me ndonjë stuhi ndëshkimore hyjnore të fuqishme, për këtë arsye hasim shumë gjurmë të vjetra të gjetura nën rërë. Kjo nënkupton se, me gjithë përparimin e madh në të gjitha aspektet e jetës të atyre popujve të mëparshëm, ata nuk mundën të mbijetonin, dhe ky është argument mbi ekzistimin e një fuqie të jashtëzakonshme, që i shkatërroi ata(5) për shkak të këqijave të tyre, e ky është Zoti i Vetëm – Allahu xh.sh..

Mohimi i Allahut xh.sh. dhe mëkatet rezultojnë me ndëshkim

Pasi Allahu xh.sh. i urdhëroi njerëzit që të udhëtojnë nëpër botë dhe të shikojnë e meditojnë për argumentet e ekzistimit të Tij dhe gjurmët e popujve të ndëshkuar, në këtë pjesë vijuese të ajetit: “Shumica e tyre kanë qenë pabesimtarë (idhujtarë)”, Ai sqaron shkakun e ndëshkimit të tyre, që ishte refuzimi dhe përgënjeshtrimi i misionit hyjnor. Me këtë Ai dëshmon se adhurimi i zotave të trilluar nga ana e tyre, nuk ishte shkak i vetëm i ndëshkimit ndaj tyre, po edhe mëkatet e të këqijat e tjera ishin shkak i këtij ndëshkimi(6). D.m.th. adhurimi i zotave të trilluar nuk ishte shkak i ndëshkimit të të gjithëve, por i shumicës prej tyre, e shkaku i përfshirjes edhe të pakicës, ishin mëkatet dhe veprimet e këqija të tyre. Kjo nënkupton se shkak i ndëshkimit të tyre ishte dominimi i adhurimit të zotave të trilluar(shirkut), dhe kjo përmban alarmin hyjnor të rrezikut, ngase, kur të ndodhë ndëshkimi, ai përfshin edhe ndonjë që është vepërmirë, një fakt i dëshmuar edhe në Kur’an: “Ruajuni nga e keqja (ndëshkimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush (po edhe të mirët). (El Enfal, 25)(7). Meqë kjo pjesë e ajetit konfirmon se shumica e tyre ishin pabesimtarë, kjo lë të kuptohet se pjesa tjetër – pakicë mund të jenë fëmijët dhe të çmendurit, sepse, kur ndodh ndëshkimi i shpejtë, përfshinë edhe fëmijët dhe të çmendurit(8). Kur Allahu xh.sh. i përfshin në ndëshkim të tillët, atëherë Ai e do të mirën për ta, sepse i shpërblen me Xhenet në Botën tjetër. Kjo i përngjan rastit të urtësisë së veçantë që përmend Krijuesi Fuqiplotë në suren “El-Kehf”, kur Hidri, shoku i Musait a.s., kishte mbytur një fëmijë përgjatë shoqërimit tij në udhëtim dhe me atë rast u çudit Musai a.s. dhe i tha: “Përse mbyte një njeri të pafajshëm dhe që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet ke bërë një punë të tmerrshme”! (El Kehf, 74). Me atë rast Hidri sqaroi urtësinë e mbytjes së këtij fëmije, duke thënë se ai i ka prindërit shumë të devotshëm dhe se ai, po të rritej, do të prishte fenë dhe devotshmërinë e tyre e do të sillej shumë keq me ta. Hidri veproi mirë, ngase i shpëtoi prindërit nga djali i tyre. Në të njëjtën kohë, ai veproi mirë me atë djalë, ngase e mbyti ende pa hyrë në moshë të pjekurisë dhe, si i tillë, ai shkoi pa përgjegjësi në Botën tjetër, prandaj fitoi Xhenetin. E tërë kjo ndodhi, sepse Hidri ishte urdhëruar kështu nga Allahu xh.sh., siç e konfirmon Kur’ani fjalën e tij, kur thotë: “Unë nuk e kam bërë këtë sipas gjykimit tim”. (El Kehf 82). Ky veprim rezulton i arsyeshëm, ngase njeriu në shumë raste sprovohet me të keq, ose nga gruaja ose nga fëmijët, ashtu siç thotë Krijuesi: “O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq nga radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, prandaj ruajuni prej tyre..”! (Et-Tegabun, 14). Përse kjo? Kjo ngase ata kërkojnë përtej mundësive dhe bëjnë presion të tepruar për të realizuar atë çfarë dëshirojnë, qoftë edhe në mënyra të paligjshme. Dhe, ja, në këtë mënyrë Allahu xh.sh. i drejtohet Muhamedit a.s., duke filluar nga vërtetimi hyjnor, se si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, janë shfaqur në botë çrregullime dhe katastrofa të ndryshme, ndëshkimi i tyre për shkak të mëkateve të tyre dhe konfirmimi hyjnor për misionin e tij tek njerëzit. Kjo nënkupton mbështetjen e Allahut xh.sh. dhe ndihmën e Tij për të Dërguarin a.s. dhe për misionin e tij dhe mosnënshtrimin e tij kurrsesi ndaj atyre dhe ndikimit të tyre(9). Gjurmët e vjetra arkeologjike, të gjetura nëpër shumë vende të botës, mbesin dëshmi e pashtershme për gjeneratat përjetësisht, në mënyrë që njerëzit të marrin mësim dhe, nëse dëshirojnë të gjejnë shpëtim, le të besojnë të vërtetën hyjnore islame.

___________________
1. Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kuran, vëll 5. f. 2773, 1996, Bejrut
2. Ahmed Mustafa El-Meragi, Tefsirul – Meragi, pj.21, f. 55, 1946, Kajro
3. Tefsir El-Fahri Err-Rrazi, Mefatihul Gajb, vëll 25, f.129, 1981, Darul Fikr, Bejrut
4. Muhamed Muteveli Esh-Sharavi, Tefsir Esh-Sharavi, vëll i 18, f.11480, pa vit botimi, Ahbarul Jevm, Kajro
5. Tefsir Esh-Sharavi, f. 11481-11482
6. Ebi El-Kasim Ez Zemahsheri, El-Keshaf an Hakaiki Gavamidi Et-tenzil ve Ujunil El-Ekavil fi Vuxhuhi Et-Te’vil, vëll 4, f. 582, 1998, Rijad
7. Imam Al-Alusi, Tefsir El-Kuran El-Adhim ve Es-Seb’ul El-Methani, (Xhuzi 21), f, 49, Ihja Et-Turath El-Arabijj, Bejrut
8. Tefsir El-Fahri Err-Rrazi, Mefatihul Gajb, vëll 25, f. 129, 1981, Darul Fikr, Bejrut
9. Tefsir Esh-Sharavi, f. 11482-11483

Exit mobile version