Ballina Autorë Opinione Reflektim mbi ndryshimet globale dhe implikimet rajonale

Reflektim mbi ndryshimet globale dhe implikimet rajonale

Besim Nebiu

Ndryshimet në politikën globale janë të dukshme sa herë që ndryshon administrata e Uashingtonit dhe impakti i tyre në rajonin e Ballkanit është i pashmangshëm. Vendet e këtij rajoni janë në një proces të gjatë dhe të lodhshëm integrimi në strukturat euro-atlantike dhe ndikimi i politikave globale në këtë proces është i madh. Me divergjencat në politikën e fuqive të mëdha perëndimore, si dhe me ndryshimet e mundshme në BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe Kosova përballen me sfida të reja dhe dilema strategjike.

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Në dy vitet e fundit, skema globale gjeopolitike ka pësuar ndryshime të mëdha që po bëjnë një ndikim të thellë në rrafshin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Lufta në Ukrainë dhe konflikti në Gazë, bashkë me divergjencat në politikën e fuqive të mëdha perëndimore, po shfaqin një peizazh të ri në politikën globale. Së fundmi, kthimi i mundshëm i Donald Trampit në karrigen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjet për Parlamentin Europian ngrenë pyetje të reja dhe sfida për vendet e Ballkanit, veçanërisht për Shqipërinë dhe Kosovën.

Stabilokratët dhe rahatimi i Vuçiqit

Në hyrje të vitit 2021, administrata e re e presidentit Joe Biden filloi të ndryshojë qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj rajonit të Ballkanit. Pritjet tona ishin se kjo administratë do të ketë vazhdimësi ideore me administratat e mëhershme të qendrës së majtë (sidomos asaj të Bill Klintonit, por edhe të asaj të Barak Obamës!), pra të përkrahjes së hapur ndaj demokratizimit dhe zhvillimit të ekonomisë së tregut të lirë në rajon, si dhe oponencë ndaj autokracive dhe politikave proruse, të strehuara nën tutelën e pasardhësit ideologjikë të Sllobodan Millosheviqit – presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në vend të një qasjeje, të fokusuar në krijim të raporteve të shëndosha të respektit fqinjësor dhe stimulimit të baraspeshave demokratike, sundimit të ligjit, korrupsionit, probleme këto të trashëguara nga dekadat e mëparme, administrata e Bajdenit vërtet shfaqi një interes të thelluar në të ardhmen e afërt të këtij rajoni, por jo ashtu siç pritej. Ne vend që të vazhdojë aty ku mbeti Bajdeni senator dhe Bajdeni zëvendëspresident i SHBA-së, Stejt Departmenti i Bajdenit mori një kahe krejtësisht tjetër. Prisnim t’i përkrahë shumë haptas demokratët dhe progresistët dhe nuk prisnim që të shpërqendrohet nga mbështetja e proceseve të reformës dhe zhvillimit të institucioneve demokratike drejt politikave të krijimit të balancave fiktive, që në të vërtet i shkojnë në dobi Serbisë. Prisnim një administratë që e stabilizon Serbinë, duke përkrahur Kosovën, ndërsa e pamë një administratë që i jep prioritet stabilizimit të Vuçiqit në dëm të Kosovës.

Ideja e kësaj qasjeje, natyrisht, është e bazuar në besimin se prioritet për stabilizim të Ballkanit Perëndimor është njëherë “të rehatohet” Beogradi – aleati i Putinit në Ballkan. Një Beograd i rehatuar pastaj do të dilte nga përqafimi i Moskës dhe do të futej plotësisht në orbitën e ndikimit perëndimor. Pastaj do demokratizohej dhe do bëhej fqinj i mirë.

Pra, një qasje e ngjashme me atë ku arsimtari i qaset nxënësit më problematik, duke i bërë lëshime dhe koncesione në dëm të nxënësve të urtë dhe shembullorë, si strategji kjo për ta qetësuar klasën.

Kjo qasje, e quajtur shpesh si “stabilokraci”, natyrisht është e orientuar dhe ka për synim të përforcojë stabilitetin politik dhe ekonomik në rajon, duke e bërë atë më të përshtatshëm për integrimin në strukturat euro-atlantike nëpërmjet përkrahjes disproproporcionale ndaj atyre që janë më problematik. Pra, nuk është në aspekt strategjik dhe në nivel teorik kundër interesave afatgjate te rajonit po të kishim një Serbi ndryshe. Një Serbi, e cila dëshiron të jetë pjesë e Perëndimit, e cila e pranon dhe ndjen faj ndaj të kaluarës së saj, e cila ka reflektuar dhe reflekton drejt ndaj fqinjëve të saj. Por, Serbia e këtillë është fiksion. Ajo, si e tillë, ekziston vetëm në botën imagjinare të autorëve të politikës së stabilokracisë. Serbia reale është ajo që e shohim sa herë që e shohim Banjskën ose e ndjekim teatrin perfomativ serbomadh të Vuçiqit në prononcimet e tij para Këshillit të Sigurimit.

Marrëveshja e Ohrit, e vitit 2023, në masë të madhe është “fryt” i kësaj qasjeje. Është ky një fryt, i cili, siç po shohim, shumë shpesh u venit – qysh në muajt e parë të mbjelljes. Ndërmjetësit ndërkombëtarë, të udhëhequr nga strategjia e stabilokracisë, u munduan ta akomodojnë maksimalisht Beogradin, për ta nxjerrë nga orbita e Kremlinit. Por, Beogradi sot është më afër Kremlinit sesa ishte para 2 viteve! Marrëveshja, nga ky vështrim, është një fiasko totale e politikës perëndimore ndaj Ballkanit.

A do të ketë Tramp 2.0 dhe politikë të re ndaj Ballkanit?

Ndryshimet në politikën globale janë të dukshme sa herë që ndryshon administrata e Uashingtonit dhe impakti i tyre në rajonin e Ballkanit është i pashmangshëm. Vendet e këtij rajoni janë në një proces të gjatë dhe të lodhshëm integrimi në strukturat euro-atlantike dhe ndikimi i politikave globale në këtë proces është i madh. Me divergjencat në politikën e fuqive të mëdha perëndimore, si dhe me ndryshimet e mundshme në BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe Kosova përballen me sfida të reja dhe dilema strategjike.

Një nga pyetjet kryesore është se si do të ndikojnë këto ndryshime globale në qasjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj rajonit të Ballkanit. Ajo që duket e qartë është se mungesa e një empatie të dukshme ndaj shqiptarëve nga disa vende europiane dhe nga SHBA-ja po rrit ndjenjën e izolimit dhe mosbesimit në rajon. Kjo mund të çojë në një rritje të hendekut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit, duke krijuar sfida të reja për integrimin euro-atlantik të këtij rajoni.

Në këtë kontekst, fitorja e mundshme e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të ardhshme në SHBA ka potencial për të shkaktuar turbullira të mëdha në politikën globale. Me një politikë të re, të shpallur paraprakisht nga Trumpi, pyetjet për implikimet në politikën e jashtme të tij janë të shumta. Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të përgatitura për të trajtuar këto ndryshime dhe të gjejnë mënyra për të ruajtur stabilitetin dhe progresin e tyre në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha në skenën globale.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme që elementi shqiptar në Maqedoninë e Veriut, si dhe establishmenti politik i Kosovës dhe Shqipërisë, të bashkërenditen në mënyrë me efikase. Duhet t’i shikojnë dhe parashohin më kujdes trendet e zhvillimit global dhe ta rrisin bashkëpunimin dhe koordinimin e tyre në nivel rajonal. Ndërkohë, ata duhet të jenë të gatshëm të përballen me sfidat dhe të gjejnë mënyra inovative për të promovuar interesat shqiptare karshi një Serbie agresive. Në këtë rrafsh, sidomos duhet të insistojnë në bashkëpunim dhe krijim të aleancave me Sofjen, Athinën, Sarajevën, Podgoricën – si kundërpeshë dhe alternativë ndaj “Botës Serbe” – një Ballkani të dominuar nga Serbia, e nëpërmjet Serbisë nga Rusia.

Politika shqiptare duhet ta prioretizojë përgatitjen e vet për një ndryshim të mundshëm global, nga një administratë e re e Trampit, dhe të jetë më e interesuar të koordinohet duke përdorur miqtë dhe aleatët tanë edhe në Uashington, por edhe në Bruksel, që një qeveri Tramp 2 ose Bajden 2 të kenë qasje më të balancuar nga ajo e Tramp 1 dhe Bajden 1. Është e mundur që administratat e dyta të këtyre presidentëve të jenë akoma më të disfavorshme për proceset e lartpërmendura nëse nuk përfshihemi në lobim për një agjendë më të balancuar ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Natyrisht, paralelisht me këtë, duhet të bëhemi edhe më “të fortë” nga brenda. Rruga për këtë duhet të jetë thellimi i reformave, si dhe eliminimi i korrupsionit, si parakushte për një progres më të ndjeshëm ekonomik dhe hapërim më të shpejtuar drejt BE-së.

Exit mobile version