Referendumi në Maqedoni, deri në ora 9 votuan 2,45 për qind

Komisiomi Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë ka bërë të ditur se në referendumin për çështjen e emrit dhe për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE) deri në orën 09:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 2,45 për qind e qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e parë për media të këtij institucioni mbi referendumin e sotëm, zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani, njoftoi se në dy orët e para të votimit procesi ka kaluar në mënyrë të rregullt dhe pa incidente të regjistruara.

“Nëpër këto vendvotime tani më dy orë e gjysmë votimi zhvillohet në mënyrën e duhur, të gjitha këto vendvotime janë të hapura dhe zhvillohet votimi. Deri në ora 9, KSHZ akumuloi të dhëna për daljen e votuesve nga gjithsej 71,35 për qind të vendvotimeve. Këto të dhëna flasin se jehona e votuesve në këto vendvotime të procesuara është 2,45 për qind”, deklaroi Shabani.

Ai shtoi se gjithsej 1.806.836 votues deri në orën 19:00 do të kenë të drejtë të votojnë në 3.480 vendvotime në 80 komuna të vendit. Deri më tani, theksoi ai, në dy orët e para të votimit janë parashtruar 3 kundërshtesa të cilat janë të refuzuara nga ana e KSHZ-së.

Ai po ashtu bëri të ditur se dalja më e madhe është regjistruar në Demir Hisar me 4,12 për qind, ndërsa dalja më e ulët në Konçe ku vetëm 0,73 për qind e qytetarëve e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Pyetja e referendumit, që është i treti me radhë në nivel shtetëror në 27 vite të pavarësisë së Maqedonisë, është “A jeni për në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”. Ky referendum vjen pas marrëveshjes në qershor midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe paraqet kushtin kryesor për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.