Referendumi në Maqedoni, deri në ora 15 votuan 22,56 për qind

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë ka bërë të ditur se në referendumin që parasheh ndryshimin e emrit dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE), jehona e votuesve deri në orën 15:00 është 22,56 për qind apo gjithsej 334.075 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e katërt për mediat, nga gjithsej gjashtë sa do të ketë gjatë ditës së sotme në të cilat informojnë për procesin dhe daljen e votuesve, kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski, theksoi se procesi i votimit po zhvillohet në një mënyrë demokratike me disa incidente të volga të regjistruara, të cilat nuk kanë penguar procesin e votimit.

“Deri në këtë moment, respektivisht deri në orën 15:00, kanë dalë 334.075 votues apo 22,56 për qind nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar në listën zgjedhore”, theksoi Derkoski.

Ai tha se numri i kundërshtesave të parashtruara deri më tani është 26, 95 për qind e të cilave, siç tha ai, janë nga ajo se qytetarët nuk figurojnë në listën e votuesve, për shkak se nuk kanë pasur dokumente valide të identifikimit.

Dalja më e madhe e qytetarëve në votim është shënuar 36,57 për qind në Komunën e Sarajt, bëri të ditur kreu i KSHZ-së, ndërsa numri më i ulët është shënuar me 9,97 për qind në fshatin Novo Sellë në rajonin juglindor të vendit.

Gjithsej 1.806.836 qytetarë të Maqedonisë me të drejtë vote do të kenë mundësi të shfrytëzojnë të drejtën e tyre deri në orën 19:00 në 3.480 vendvotime në 80 komuna të vendit. Që referendumi të kalojë i suksesshëm, pjesëmarrja e votuesve duhet të jetë mbi 50 për qind nga numri i qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve.

Pyetja e referendumit, që është i treti me radhë në nivel shtetëror në 27 vite të pavarësisë së Maqedonisë, është “A jeni për në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”. Ky referendum vjen pas marrëveshjes në qershor midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe paraqet kushtin kryesor për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Referendumi është konsultativ dhe ligjërisht nuk është i detyrueshëm. Megjithatë, qeveria maqedonase deklaroi se rezultati i referendumit do të konsiderohet i detyrueshëm. Në rast të një rezultati pozitiv të referendumit, vendimi përfundimtar për marrëveshjen me Greqinë do të miratohet nga Kuvendi i Maqedonisë, ku për ndryshime kushtetuese do të nevojitet vota e dy të tretave të deputetëve.

Pas përfundimit të këtij procesi në Maqedoni, nevojitet që marrëveshja të ratifikohet nga Parlamenti grek.