Reciton Ahmed Abid, nga citati 26 deri 38 kaptina Fussilet
26) Ata që nuk besuan thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni!”
27) E, Ne atyre që nuk besuan patjetër do t’u japim të përjetojnë dënim të ashpër dhe do t’i shpërblejmë me më të keqen e asaj që punuan.
28) Dhe ai ndëshkim i armiqve të All-llahut është zjarri, aty është vendi i tyre i përhershëm, si shpërblim për shkak se ata refuzuan argumentet tona.
29) Ata që nuk besuan thonë: “O Zoti ynë, na i trego ata të dy nga xhinët dhe njerëzit, të cilët na bënë të jemi të humbur, e t’i shkelim me këmbët tona dhe le të jenë prej më të poshtërve!”
30) E, s’ka dyshim se ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej.
31) (u thonë) Ne kujdesemi për ju, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, kudo të keni atë që dëshironi dhe gjithçka kërkoni.
32) Pritje e nderuar prej Atij që falë mëkatet dhe që është mëshirues!
33) E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?”
34 Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.
35) Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë.
36) E nëse ty të ngacmon ndonjë ngacmim prej djallit, ti kërko mbrojtje prej All-llahut, se vërtet Ai është dëgjuesi, i dijshmi!
37) Nga faktet e madhështisë së Tij janë nata, dita, dielli e hëna. Mos i bëni sexhde as diellit, as hënës! Sexhde bëni vetëm All-llahut, i cili i krijoi ato, nëse adhuroni vetëm Atë!
38) Po nëse ata (kufarët) janë kryeneç (e nuk bëjnë sexhde), atëherë ata që janë pranë Zotit tënd (engjëjt më të lartë), Atij i bëjnë tesbih natën e ditën dhe ata nuk mërziten prej adhurimit.